Kandidatja e LDK-së për deputete, Jehona Lushaku-Sadriu ka prezantuar para kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhirit, përvojat dhe të arriturat me mësimin tërëditor në disa shkolla të Prishtinës.
“Suksesin e mësimit tërëditor në pesë shkollat e kryeqytetit, e prezantova fillimisht duke ndarë përvojat dhe të arriturat tona. Bashkë me kryetarin, patëm rast të diskutojmë për projektet dhe kapacitetet e Komunës së Pejës në lidhje me mundësitë e implementimit të mësimit tërëditor. Jam e bindur se Peja, me investimet infrastrukturore në shkolla që janë realizuar nga qeverisja e kryetarit Muhaxheri, ka potencial të jashtëzakonshëm për reforma arsimore”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, me qeverisjen qëndrore nga LDK me kryeministër Lumir Abdixhiku do të zbatohet modeli i mësimit tërëditor në gjithë Kosovën.
“Me kënaqësi kryetarit Muhaxheri i dhurova raportin mbi implementimin e reformës arsimore në kryeqytet, duke ndarë me të rezultatet dhe hapat konkret që kemi ndërmarrë në kryeqytet. Faleminderit kryetarit dhe ekipit të tij për mikpritjen e përzemërt dhe angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm për përmirësimin e arsimit”, ka thënë ajo.
