Ka ngritur dyshime përputhshmëria e paralajmërimit të Vuçiqit dhe vendimit të partisë së Kurtit, kundër certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Më 17 dhjetor, Aleksandar Vuçiq, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë serbe, e quajti sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor si një “përpjekje të regjimit të Kurtit për të shpallur fajtorë serbët”.
Ai deklaroi se qëllimi kryesor është ndalimi i Listës Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të planifikuara për 9 shkurt.
“Ajo që kemi mundur të marrim nga agjencitë tona të inteligjencës është se regjimi i Kurtit do t’i shpallë fajtorë serbët (për ngjarjet rreth kanalit), me synim të qartë politik që t’ia ndalojë Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje. Kjo do të mbështetet nga administrata amerikane në largim”, thoshte Vuçiq.
Vetëm disa ditë më vonë, më 23 dhjetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme.
Ky vendim u mbështet nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët argumentuan se Lista Serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe i referohet atij me emërtimin serb “Kosova dhe Metohia”.
Përputhshmëria mes paralajmërimit të Vuçiqit dhe vendimit të KQZ-së ka ngritur dyshime.
A kemi të bëjmë me një rastësi të politikës së tensionuar mes dy vendeve, apo me një strategji të sinkronizuar që u shërben interesave të dy liderëve?
Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se moscertifikimi i kësaj partie është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.
Për Kurtin, moscertifikimi i Listës Serbe mund të shihet si një qëndrim i fortë ndaj një partie që përfaqëson politikën e Beogradit dhe refuzon sovranitetin e Kosovës.
Përputhja e kohës dhe qasjes në këto dy zhvillime nuk mund të injorohet lehtë.
Pas këtij zhvillimi, i menjëhershëm ishte reagimi i Vuçiqit.
Ai ka vazhduar me propagandën e vjetër të Beogradit zyrtar, duke thënë se me këtë veprim “Kurti po dëshiron ta shfarosë popullin serb në Kosovë”.
“Populli ynë në Republika Srpska është në një situatë gjithnjë e më të vështirë dhe, siç dëgjoj, edhe Parlamenti i Srpskas është në seancë nga nesër për këtë arsye. Në të njëjtën kohë, Albin Kurti po tenton të eliminojë kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë, që është Lista Serbe. Kurti me ndihmën e aleatëve të tij dëshiron ta shfaros popullin serb nga krahina jugore”, ka shkruar Vuçiq në Facebook./Paparaci
