Kosova vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta për kokë banori, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.
Sipas Bankës Botërore shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet e lartë, 19.2 për qind.
Zëvendësmenaxherja e Bankës Botërore për Kosovë, Jane Sprouster në një intervistë për KosovaPress, thotë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë, sidomos për popullatën e re.
Sprouster flet edhe për parashikimet Bankës Botërore lidhur me rritjen ekonomike të Kosovës gjatë vitit 2025. Përveç kësaj ajo tregon për projektet dhe shumënfinanciare në kredi dhe grante që pritet të ndahen për Kosovën, për vitin 2025.
“Të ardhurat për kokë banori mbeten të ulëta në krahasim me mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shkalla e varfërisë mbetet më e lartë, pak mbi 19 për qind. Ne konsiderojmë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë dhe rritjen e prosperitetit të përbashkët, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë për të gjithë popullin e Kosovës”, thekson Sprouster.
Tutje, ajo shprehet se rritja ekonomike parashikohet të jetë në 3.8 për qind për vitin 2024 dhe deri 4 për qind në periudhën afatmesme.
“Projeksionet tona të fundit, nga tetori 2024, tregojnë se rritja e BPV-së parashikohet të përshpejtohet në 3.8 për qind në vitin 2024 dhe gradualisht të shkojë drejt 4 për qind në periudhën afatmesme. Ne presim që eksportet e mallrave të mbeten të ndrydhura këtë vit, përpara se të rikuperohen gradualisht deri në vitin 2026. Me rritjen ekonomike që pritet të përshpejtohet, ne parashikojmë që varfëria do të ulet, nga 19.2 për qind këtë vit në 17.1 për qind në 2025”, potencon Sprouster.
Në vitin që lamë pas, Banka Botërore ka mbështetur projekte milionëshe në vendin tonë për forcimin e qeverisjes digjitale, investime në edukimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijëve dhe forcimin e sektorit shëndetësor.
Sprouster thekson se Banka Botërore pritet që në vitin 2025 ta mbështesë Kosovën me rreth 100 milionë dollarë kredi dhe grante për projekte zhvillimore të sektorit financiar dhe për lehtësimin e tregtisë dhe transportit.
Po ashtu sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon. Sipas raportit të fundit vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.
