Kur bëhet fjalë për gjetjen e arsyeve, menaxherët e futbollit janë shumë të shkathtë.
Për humbjet që pësojnë shpesh janë shkaktarë udhëtimi i gjatë, koha e kufizuar e përgatitjes, lëndimet ose gjendja e keqe e fushës.
Por pas humbjes 2 me 0 të Arsenalit nga Newcastle Unitedi të martën, Mikel Arteta gjeti një arsye të pazakontë – fajësoi topin.
Në kupën Carabao përdoret topi nga “Puma”, teksa në Premier Ligë është ai i “Nike”.
Arteta ka thënë se vështirësitë e ekipit të tij në ndeshjen kundër Newcastle erdhën si pasojë e topit.
Këtë deklaratë nuk e kanë pritur mirë fansat e klubeve të tjera që kanë nisur të tallen me menaxherin e Arsenalit.
“Jo, është thjesht ndryshe. Është shumë ndryshe prej topit të Premier Ligës, por duhet të mësoheni me këtë. Fluturon ndryshe kur e godet atë, edhe kontrolli i tij është krejt ndryshe, por ju duhet të mësoheni me këtë top”, ka thënë Arteta.
