“Dënojmë ashpër përdhosjen e memorialit në Gorazhdec kushtuar vendasve të vrarë gjatë “agresionit të NATO-s”, ka kumtuar sot zyra serbe për propagandë kundër Kosovës.
Mbrëmë rreth orës 21:30, në Gorazhdec ka ndodhur një “incident” kur sipas dëshmitarëve okularë të cilët kanë folur për radion lokale të Gorazhdecit, dy të rinj kanë hyrë në kompleksin memorial dhe kanë hequr flamurin serb, transmeton Paparaci.
“Heqja e flamurit nga ky memorial është dënuar sot nga kjo zyre e Petoviqit, e cila e ka cilësuar si “një tentativë tjetër për të frikësuar serbët”.
“Dy persona të paidentifikuar kanë hyrë mbrëmë në zonën e rrethuar rreth monumentit dhe kanë hequr flamurin serb, që padyshim është një përpjekje tjetër për të frikësuar serbët”, pretendohet në kumtesë.
Ata pohojnë se kjo është vetëm dëshmi se “agjenda politike e Kurtit inkurajon ekstremistët që të angazhohen në aktivitete antiserbe”, gjë që, sipas tyre, “e përkeqëson edhe më shumë pozitën e serbëve që jetojnë në jug të lumit Ibër në kushte të vështira për dekada të tëra”.
Kjo zyre gjithashtu kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që në mënyrë urgjente t’i angazhojnë të gjitha kapacitetet e tyre për të gjetur këta “keqbërës që e kanë përdhosur memorialin e viktimave që i ka vrarë NATO gjatë agresionit të tij”./Paparaci.com
