Sokol Havolli, kandidat i LDK-së për deputet, ka folur për planin 1.5 miliardësh të LDK-së për investim në Prishtinë, nëse udhëheqin me vendin për 4 vitet e ardhshme.
Havolli ka thënë se me njërin prej projekteve është i lidhur edhe personalisht.
“Ditë jashtëzakonisht e suksesshme në kryeqytet ku kryetari Abdixhiku dhe kryetari Rama prezantuan projekte në vlerë prej 1.5 miliardë euro për kryeqytetin. Kemi Unazën e Kryeqytetit e cila me shumë vite është duke u bllokuar nga bllokuesit aktual, kemi Spitalin e Qytetit sepse guxojmë të mendojmë në projekte madhore të cilat kanë me transformu shëndetin e qytetarëve”
“Kemi Qendrën Sportive, mësimin gjithëditor dhe Qendrën për Teknologji Informative dhe Inteligjencë Artificiale. Me këtë të fundit jam i lidhur edhe personalisht sepse kam kontribuu drejtpërsëdrejti duke e implementu një pjesë të qytetit të mençur përmes digjitalizimit të parkingjeve dhe vendosjes së shtyllave të mençura në kryeqytet”, ka thënë ai.
Sa i përket akuzave të kryeministrit Kurti drejtuar LDK-së, ai ka thënë se ky debat është i nivelit të ‘shtallave’ dhe batutat si të Nastradinit.
“Debati fatkeqësisht është duke u bërë nga të tjerët, në disa nivele që më shumë i gjasojnë ‘shtallave’ sepse flasin për miza, këmbën e elefantit, të dhisë e për batuta të ndryshme të cilat janë të kohës së Nastradinit…Paramendo në kohën e avancimit të shoqërisë tonë, ne flasim për batuta të tipit të Nastradinit”, ka deklaruar Havolli.
