Tullumbacet me fotografinë e Papa Françeskut u ngritën në qiell.
Të dielën, besimtarët katolik u mblodhën poshtë dritares së spitalit në Romë, ku po trajtohet kreu i Selisë së Shenjtë.
Ata po i bëjnë lutjet e drekës së Engjëllit.
Ritualit iu bashkua edhe kjo vajzë e cila dashurinë për Kreun e Kishës Katolike e shprehu përmes këtij vizatimi.
Ajo ia ka dedikuar edhe një letër Papës.
“Ciao Papa Francesco, unë jam Maria, jam 12 vjeç dhe kam lindur në vitin 2013 në janar kur ju, në mars, u bëtë papë”, thuhet në letrën e Maria Chilniska.
E shqetësuar për shëndetin e tij është edhe kjo murgeshë nga Kerale e Indisë.
“Ne jemi studentë nga India dhe Brazili dhe erdhëm këtu të lutemi për Papa Françeskun sepse dje ishte mirë dhe dje mbrëmë dëgjuam se nuk është mirë dhe po lutemi për shërimin e tij të shpejtë dhe të plotë”, tha Roobini Chinnappan.
Të shtunën, mjekët thanë se Papa 88-vjeçar, të cilit i ishte hequr një pjesë e njërës mushkëri kur ishte i ri, ishte në gjendje kritike pasi pësoi një krizë të zgjatur të frymëmarrjes astmatike ndërsa po trajtohej për pneumoni dhe një infeksion kompleks të mushkërive.
