Kryeministri në largim Albin Kurti e ka dënuar fuqishëm shpërthimin që ndodhi në një filial të Postës së Kosovës në qendër të Zveçanit të hënën në mesnatë.
Në një reagim në rrjetet sociale, shefi i qeverisë në detyrë tha se sulmi tinëzar “është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës”.
“Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët”, tha Kurti.
Sipas tij, ky akt është orvatje për cenimin e sigurisë së vendit.
“Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kurti, po ashtu shprehu brengën për strehimin në Serbi të individëve të lidhur me grupet kriminale, siç është Millan Radoiçiq.
“Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”, tha Kurti.
Shpërthimi që ndodhi të hënën në mesnatë dëmtoi një postë të Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se nga shpërthimi nuk mbeti asnjë i lënduar, përveç dëmeve materiale.
