Duke pasur parasysh natyrën e tensionuar të marrëdhënieve dypalëshe Qeveri-Presidencë gjatë dy viteve të fundit, taksa ndaj produkteve amerikane veçse e ka thelluar përçarjen.
Taksa e Kosovës ndaj produkteve amerikane, e harruar prej vitesh, u trokiti në mendje zyrtarëve në pushtet vetëm pas vendosjes së tarifave globale tregtare nga presidenti amerikan Donald Trump.
Para se Trumpi të shpallte të mërkurën vendosjen e një tarife bazë prej 10 për qind ndaj produkteve të Kosovës, anasjelltas veçse ka qenë tashmë në fuqi një tarifë ndaj produkteve amerikane.
Kjo tarifë prej 10 për qind e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve amerikane, është në fuqi që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Të enjten, në ngarendje të shpejtë për përfitim të vëmendjes në skenën e brendshme dhe të jashtme të politikës, presidentja Vjosa Osmani i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të hiqte tarifat ndaj produkteve amerikane. Disa minuta pas kërkesës, ajo i dha jehonë apelit në një publikimin në platformën sociale “X”.
“Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”, tha Osmani në “X”.
Today, I formally requested the Government of Kosovo to suspend import tariffs on all U.S. products—an important step to deepen economic ties with our closest ally and to send a clear message: Kosovo is ready for a more robust relationship with the United States, with a clear… https://t.co/zqIcz2FVfR
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) April 3, 2025
Kërkesa e zuri në befasi qeverinë në detyrë dhe jashtë orarit ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili haptazi e kritikoi me tone të ashpra presidenten për trajtimin e kësaj çështje në media. Për vendosjen e qeverisë para një akti të kryer.
Murati tha se publikimi i Osmanit në rrjetet sociale pak minuta pasi i kishte dërguar email Qeverisë pas orarit të rregullt të punës pas orës 16:00, ekspozon joseriozitetin e presidentes.
“Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, tha Murati në një reagim në Facebook.
Taksa ndaj produkteve amerikane ka kohë që po shqyrtohet të largohet, sipas përgjigjes së ministrit Murati ndaj presidentes Osmani.
Përplasja mes dy institucioneve mbrëmjen e të enjtes vazhdoi me një reagim të menjëhershëm të Bekim Kupinës, këshilltarit të presidentes Osmani, ndaj cilësimeve të ministrit të Financave.
Kupina e quajti “të turpshme dhe skandaloze” deklaratën e ministrit Murati.
Ai tha se letra e presidentes drejtuar qeverisë nuk ishte “thjesht veprim ekonomik, por veprim strategjik në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial”.
Taksa nuk është çështja e parë që e ekspozoi marrëdhënien e ftohtë mes qeverisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Raportet mes dy institucioneve janë krisur prej kohësh. Ato ishin shpërfaqur publikisht vitin e kaluar.
Piku i tensionimit të raporteve mes Kurtit dhe Osmanit mbërriti te letra që kryediplomatja Donika Gërvalla ia nisi Këshillit të Evropës më 17 maj të vitit të kaluar, ditën kur u mblodh Komiteti i Ministrave të KiE-së.
Qeveria, në letrën dërguar KiE-së zotohej se do të përgatiste një draft për krijimin e një ‘mekanizmi për vetmenaxhim’. Osmani ishte ankuar se Qeveria e kishte shpërfillur institucionin e presidentes, i cili ka kompetenca kushtetuese në fushën e politikës së jashtme.
