Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama e ka sfiduar ministrin në dorëheqje të Kulturës, Hajrulla Çekun me debat publik për, siç ka thënë ai, bllokimin e projekteve në kryeqytet.
Çeku të mërkurën ka pretenduar se Komuna e Prishtinës qëllimisht po lidh kontrata të kundërligjshme.
Këtu ka përmendur projektet për sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban dhe për rrugën “Agim Ramadani”.
“Të gjitha këto kontrata janë të lidhura kundërligjshëm, duke mos i respektuar procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe pëlqime të nevojshme. Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet përkatëse”, ka thënë ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Sipas Çekut kjo është një nga shkeljet. Sipas tij, shkelja e dytë është se “ka përsëritje të metodave të veprimeve nga Komuna”.
Ai ka thënë se Ministria dyshon dhe është e bindur që ka parregullsi të theksuar në lidhjen e kontratave.
Ndërkaq Rama ka thënë se Çeku ka zgjedhur sërish rrugën e mashtrimit dhe propagandës.
“Duke vazhduar me të pavërtetat e radhës për të justifikuar bllokimin e kundërligjshëm dhe sistematik të çdo projekti transformues në Kryeqytet”, ka thënë Rama.
“E ftoj publikisht Ministrin e Kulturës, bashkë me ekspertët e tij, në një debat të hapur publik”, ka thënë ai.
Përplasja ka nisur pasi inspektorati për trashëgimi kulturore ndaloi punimet e saponisura për sheshin “Xhorxh Bush”, projekt që do t’i kushtonte Prishtinës 18.4 milionë euro.
Ndalimi i punimeve ishte bërë me arsyetimin se ato po zhvilloheshin monumenteve si Hoteli Grand, objekti i Rektoratit të UP-së, Bibliotekës Kombëtare dhe RTK-së.
