Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi, ka reaguar pas bllokimit institucional me mungesën e konstituimit të kuvendit.
Dushi ka thënë se në këtë situatë ndodhemi për shkak se Kosova drejtohet nga individë që s’kanë as njohuri të mjaftueshme juridike e as integritet profesional, po e trajtojnë procesin legjislativ si një mjet për t’i shërbyer interesave të ngushta partiake, jo shtetit dhe qytetarëve.
Sipas Dushit, situata është alarmante dhe e dëmshme për funksionimin demokratik të shtetit.
“Është për të ardhur keq që hartimi i legjislacionit në këtë shtet ka rënë në duart e joprofesionistëve, të verbër ndaj interesit publik dhe plotësisht të nënshtruar ndaj vullnetit të politikanëve injorantë. Këta individë, që s’kanë as njohuri të mjaftueshme juridike e as integritet profesional, po e trajtojnë procesin legjislativ si një mjet për t’i shërbyer interesave të ngushta partiake, jo shtetit dhe qytetarëve. Qasja e tyre subjektive dhe shpeshherë arbitrare në hartimin e ligjeve po krijon absurditete ligjore, paqartësi zbatuese dhe kontradikta të hapura mes normave, duke çuar në vetëbllokim të institucioneve. Në vend që të ndërtojnë një arkitekturë funksionale ligjore, këta “hartues” po shndërrohen në arkitektë të vetëkurthimit institucional sikur që është rasti me Ligjin për Qeverinë dhe një mori ligjesh tjera. Kjo situatë është jo vetëm alarmante, por edhe thellësisht e dëmshme për funksionimin demokratik të shtetit dhe institucioneve tona. Ligjet nuk mund të jenë produkt i sharlatanëve politikë, por duhet të jenë fryt i ekspertizës, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj shtetit të së drejtës”, thuhet në postimin e Dushit.
