Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët evropianë do të bashkohen sot me homologët e tyre britanikë dhe ukrainas në Londër për bisedimet e fundit të paqes mbi konfliktin e vendit të shkatërruar nga lufta me Rusinë.
Takimi vjen mes përpjekjeve të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të arritur paqen midis Rusisë dhe Ukrainës.
Trump ka sugjeruar se shpreson që palët ndërluftuese do të bëjnë një marrëveshje këtë javë.
Por Kievi mund të detyrohet të pranojë marrëveshjen – sipas kushteve që po zhvillohen midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë – pasi “Financial Times” raportoi se presidenti rus Vladimir Putin kishte ofruar të ndalojë pushtimin e tij në Ukrainë në vijat e saj aktuale të frontit.
“Gjithashtu, administrata Trump ka propozuar për zgjidhjen e konfliktit – kontrollin e vazhdueshëm të Moskës mbi rajonet e okupuara të Ukrainës – dhe mundësinë që Uashingtoni të njohë aneksimin e Krimesë nga Moska në 2014”, sipas “Financial Times”.
Keith Kellogg, i dërguari special i Trump për Ukrainën dhe Rusinë, do të përfaqësojë sot SHBA-në në bisedimet në Londër.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio nuk është do të marrë pjesë për shkak të axhendës së planifikimit, ndërsa Steve Witkoff – i dërguar i Trump i cili ka qenë i përfshirë në negociata – do të kthehet në Moskë, këtë javë.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey i tha dje Dhomës së Komuneve – se aleatët do të diskutojnë “hapat e ardhshëm” gjatë bisedimeve, duke përfshirë atë se si mund të duket një armëpushim dhe si të sigurohet paqja në afat të gjatë.
