Gazetari Vehbi Kajtazi ka lidhur ngjarjen tragjike të vrasjes së policit Muhamed Lika në Kaçanik me një grup radikal të lidhur me trashëgimtarët e terroristit Lavdrim Muhaxheri.
Pas vrasjes së tij, Kajtazi thotë se hetimet e zhvilluara nga autoritetet kanë zbuluar një grup të strukturuar të individëve të trajnuar për përdorimin e armëve dhe aktivitetet terroriste.
Sipas Kajtazit, hetimet kanë nxjerrë në pah rreth 30 persona të trajnuar në përdorimin e armëve dhe dy poligone ku ata kanë ushtruar, duke treguar një organizim të rrezikshëm dhe të mirëstrukturuar të grupeve ekstremiste.
“Kemi gjetur diçka të frikshme në këtë rast. Një djalë i mitur i cili është rritë në duar të trashëgimtarëve të terroristit Lavdrim Muhaxheri. Kjo Rinia Islame Kaçanik. Deri tash është zbulu nga hetimet pas vrasjes së policit që janë diku 30 persona që janë të trajnuar për lloje të ndryshme të armëve. Janë gjetur të paktën dy të ashtuquajtura poligone ku kanë ushtru ata. Edhe të arrestuarit janë pjesë e atij grupi”, tha Kajtazi.
Një tjetër aspekt shqetësues që ngre Kajtazi është mënyra si policia e Kaçanikut ka trajtuar informacionet dhe hetimet.
“Edhe policia në Kaçanik në njëfarë forme e ka lënë vetë të ndjerin Muhamed Lika. Ai e ka arrestu njërin prej tyre për shpërndarjen e afisheve në Kaçanik. Dhe është marrë me këtë të miturin. Dy ditë para vrasjes, është ndalë në një pikë kontrolli ky person, është marrë telefoni i tij dhe është dërgu në stacion të policisë. Ka shku babai i tij për ta marrë telefonin, i njeri i thotë duheet me ardh ai në stacion me dhanë deklaratë e pastaj e merr telefonin dhe dy ditë më vonë vritet. I ndjeri përcillet me kamera, me vetura. Ajo që e kam pa shqetësuese është që policia në Kaçanik deri pak ditësh nuk ka tregu që telefoni i të dyshuarit për vrasje është aty”, shtoi ai.
Sipas tij, vrasja e policit Muhamed Lika është një ngjarje që lidhet drejtpërdrejt me punën e tij.
“Shteti është duke dështu në ballafaqim me grupe të tilla që mund tia shohin sherrin. Ky grup është terrorist. Vrasja e policit lidhet me punën e tij”.
