Të fundit

“Si vdesin demokracitë” – rasti i Kosovës së Kurtit

Dy politologë të njohur amerikanë Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt në vitin 2018 në librin “How Democracies Die” (Si Vdesin Demokracitë) përmendin edhe polarizimin si formë e ushtrimit të pushtetit nga politikanët me prirje autoritare.

Gent Mehmeti

“Ne” dhe “ju”, “ne” dhe “ata”,  janë përemra vetorë. Mirëpo me ngritjen e Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të përdoren edhe në politikë. Përemra vetorë që përcaktojnë VV-në të mirën e të gjithë të tjerët tek “ata” që e kundërshtojnë apo kritikojnë këtë parti politike.

Kjo formë ka ndikuar që në vitet e fundit të ketë polarizim ekstrem në Kosovë. Polarizimi ekstrem është një prej formave drejt zhbërjes së demokracisë së një shteti. Këtij polarizimi i frynë fort partia në pushtet.

Dy politologë të njohur amerikanë Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt në vitin 2018 në librin “How Democracies Die” (Si Vdesin Demokracitë) përmendin edhe polarizimin si formë e ushtrimit të pushtetit nga politikanët me prirje autoritare.

Libri i profesorëve të Universitetit të Harwardit është analizë se si demokracitë vdesin nga brenda, nëpërmjet proceseve të ligjshme.

Libri kryesisht ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vitit 2016 kur në skenën politike ngritët republikani miliarder, Donald Trump. Mirëpo shembujt e dy autorëve të njohur amerikanë gjenden nëpër krejt demokracitë e ditëve të sotme, përfshirë edhe Kosovën.

Levitsky dhe Ziblatt në këtë libër shkruajnë se që prej vitit 2016, kanë parë politikanë të thonë dhe të bëjnë gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë më parë në SHBA e që për ata janë shenja paralajmëruese ose të ngjashme me ato që kanë paraprirë krizat demokratike në vendet e tjera.

Autorët përmendin grusht-shtetet ushtarake në Amerikën Latine si një prej formave më klasike të shembjes së demokracive. Rast i tillë është edhe Kili kur gjenerali Augusto Pinoçet ishte ngritur kundër Salvador Alendes, i cili nuk po lëshonte pushtetin. Mirëpo sipas tyre, ekziston edhe një mënyrë tjetër për ta rrëzuar demokracinë.

“Është më pak dramatike, por njësoj shkatërruese. Demokracia mund të mos vdesë nga duart e një gjenerali, por të një lideri të zgjedhur president a kryeministër, i cili ka aftësinë të shkatërrojë pikërisht procesin që e solli në pushtet…”, shkruajnë autorët.

“Por më shpesh demokracitë gërryhen ngadalë, pak nga pak, nëpërmjet proceseve që mezi duken”, shtojnë ata në hyrje të asaj se çfarë mund të gjejë lexuesi në këtë libër.

Kjo është mënyra se si vdesin demokracitë sot. Diktaturat e zhurmshme, në formën e fashizmit, komunizmit apo pushtetit ushtarak- janë zhdukur nga pjesa më e madhe e botës.

“Grushtet ushtarake dhe format e tjera të dhunshme të kapjes së pushtetit janë rralluar. Pjesa më e madhe e vendeve mbajnë zgjedhje të rregullta elektorale. Dhe demokracitë akoma vdesin, por me mjete të ndryshme”, vlerësojnë dy autorët e librit.

“Rivalët armiq”

Që në hyrje të librit, dy autorët përthekojnë pothuajse gjithçka se si shembet një demokraci. Ata përmendin se si politikanët amerikanë i trajtojnë rivalët e tyre si armiq.

Nata e zgjedhjeve në Kosovë është përmbledhje se politikanët trajtojnë rivalët e tyre si armiq. Kryeministri në detyrë më 10 shkurt gjatë mesnatës teksa po deklaronte fitoren në zgjedhjet e 9 shkurtit, kishte thyer kufijtë e rivalitetit kur garuesit e tjerë i cilësoi “hajvanë” (kafshë nga gjuha turke v.j.).

“Kurrë nuk është bërë në Kosovë më shumë luftë ndaj një qeverie se kësaj tonë. Luftë hibride. Oligarkë që kërcënojnë punëtorë e jepnin para për fushatë. Opozitarë që bëjnë parti edhe me dreqin kundër qeverisë sonë edhe prapë se prapë kanë humb. Kanë me mbet në opozitë sepse nuk ia dojnë të mirë as shtetit as popullit. Jepnin premtime për koeficient më shumë se në programin e tyre. Çfarë hajvanësh. Por, ka kaluar koha e hajvanatit. E kanë marrë sonte vesh. Ata e kanë mashtruar vetëm veten e tyre”, kishte thënë Kurti në mesnatën e 10 shkurtit.

Dy muaj më vonë, Kurti në mungesë të numrave për të konstituar Kuvendin, të njëjtit që i ka quajtur “hajvanë” me letra dashamirëse i ka lutur për takim dhe për koalicion qeverisës.

Levitsky dhe Ziblatt shkruajnë se këta politikanë përpiqen t’i dobësojnë amortizatorët institucional të demokracisë, duke ushtruar ndikim deri te gjykatat, shërbimet inteligjente e zyrat e etikës.

Kurti në katër vjet pushtet i ka cilësuar gjykatat si të kapura, ani pse nuk ka përmendur asnjëherë emra dhe fakte. Në të njëjtën kohë, kur i ka konvenuar ka dorëzuar raste në të njëjta gjykata. Kur i ka konvenuar edhe i ka përshëndetur vendimet. Një prej rasteve më të fundit është ai për vendimin e Gjykatës Kushtetutese në lidhje me ligjin për Këshillin Prokurorial. Heshti kur Gjykata e shpalli jokushtetutes ligjin për Këshillin e Pavarur për Media.

Kurti me VV-në kontrolluan edhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës të cilës ia zbehen namin kur e përdorën për të përcjellë dhe përndjekur gazetarët kritikë të qeverisë së tij. Tre gazetarë që janë përcjellë janë Vehbi Kajtazi, Berat Bushala e Lirim Mehmetaj. Madje, Kajtazi gjeti një pajisje gjurmuese të vendosur afër rrotës së automjetit të tij.

“Në rastin sipas mënyrës elektorale, kushtetuta dhe institucionet e tjera demokratike qëndrojnë. Njerëzit votojnë, por janë ata, autokratët e zgjedhur që nën velin e demokracisë, gërryejnë dhe zbrazin gjithë substancën e saj”, vlerësojnë autorët amerikanë.

Kapja e institucioneve dhe lufta me mediat

Sipas profesorëve të Universitetit të Harwardit në librin e tyre “Si vdesin demokracitë”, shpesh, institucionet shndërrohen në armë politike, të cilat iu tunden me forcë atyre që nuk e kanë mundësinë t’i kontrollojnë nga ata që i kontrollojnë.

“Kjo është mënyra se si autokratët e zgjedhur shkatërrojnë demokracinë, mbushin gjykatat e agjenci të ndryshme neutrale me njerëzit e tyre dhe i shndërrojnë në armë, blejnë mediat dhe sektorin privat (ose i ngacmojnë në heshtje), rishkruajnë rregullat e politikës për të qenë të favorizuar ata vetë në fushën e lojës kundër kundërshtarëve”, shkruajnë ata në librin bestseller të gazetës prestigjioze “The New York Times”. Ky libër ishte edhe në listën e librave më të preferuar të ish-presidentit amerikan Barack Obama gjatë vitit 2018.

Në rastin e Kosovës, Kurti ka emëruar të afërm të tij dhe bashkëpartiakë në Radio Televizionin Publik, Korporatën Energjetike të Kosovës dhe në Këshillin e Pavarur për Media.

Ndërkaq, Dejona Mihalin, zyrtare e partisë pa asnjë post tjetër institucional, për të kontrolluar deputetët e VV-së dhe të gjitha veprimet e vendimet në KEK. Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i hetuar për keqpërdorimin e miliona eurove në KEK, shpesh ishte këshilluar me Mihalin për vendimet rreth KEK-ut.

Pasi tentoi të mbyllte Klan Kosovën, Kurti vazhdoi të shmangte mediat dhe t’i fyente ato, duke i akuzuar se kontrollohen nga oligarkët.

Shkaku i kësaj beteje të pushtetit me median, raporti i Reporterëve Pa Kufij e vendosi Kosovën në vendin e 99, duke rënë për 24 vende në Indeksin Global të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij (RSF), duke e renditur Kosovën më keq se të gjitha vendet e rajonit dhe krahas shteteve me histori të rënduar të censurës dhe dhunës ndaj gazetarëve.

Vetëvendosje e kontestoi edhe këtë raport ndërkombëtar, duke thënë se është frymëzuar dhe ndikuar nga individë të brendshëm, të cilët, sipas saj, e kanë bërë për ta njollosur punën e qeverisë së Kurtit.

Dy autorët e njohur amerikan në këtë libër vlerësojnë se paradoksi tragjik i rrugës drejt autoritarizmit është se vrasësit e demokracisë  përdorin vetë institucionet demokratike në mënyrë graduale, në heshtje dhe, për më tepër, edhe ligjërisht për ta vrarë atë./Paparaci.com.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci