Në një video të vjetër Albin Kurti, para se të bëhej Kryeministër i Kosovës, kritikonte ashpër shpenzimet qeveritare, politikën dhe neglizhencën ndaj bujqësisë e shtresave në nevojë.
Në videon e publikuar para se të bëhej Kryeministër, Kurti deklaronte:
“Varfëria e madhe nuk është fatkeqësi natyrore, por është keqpërdorim i pushtetit sepse për xhipa, për llukse të ndryshme të pushtetit po ka para, por për programet sociale, për arsim, për shëndetësi, për zhvillim ekonomik nuk po gjejnë para.”
Ai po ashtu kritikonte politikat tatimore dhe çmimin e naftës, duke thënë:
“Nuk është e drejtë që nafta të kushtojë njësoj si për traktorin e bujkut si për xhipat e ministrave e kryeministrit. Nuk është e drejtë që TVSH-ja të jetë e njëjtë 16%, sikurse për qumështin për fëmijë dhe ushqimet elementare, sikurse për mallrat e lluksit.”
Gjatë qeverisjes së tij, Kurti përballet me kritika të shumta për pikërisht ato çështje që dikur i denonconte. Rryma është shtrenjtuar gjatë mandatit të tij, TVSH-ja nuk është reformuar në mënyrë që të përjashtojë produktet bazë ose të ulët për bujqit, ndërsa premtimet për mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe prodhimit vendor janë vlerësuar si të realizuara pjesërisht apo fare pak.
