Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vullnet të bashkëpunojë për qeverinë me Partinë Demokratike të Kosovës, e bëri të qartë nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një intervistë televizive të enjten.
Konjufca tha se një qeveri LVV-LDK do të krijonte shumicë të nevojshme për funksionimin e qeverisë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të reformohej edhe më tej në opozitë.
Nënkryetari i LVV-së e quajti të pakuptimtë opsionin e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për një qeveri tranzitore të unitetit.
“Cilat punë nuk mund t’i kryejë një qeveri me 79 deputetë nëse PDK-ja nuk është aty. Çka po na vyjka neve t’i kemi 105 deputetë në Kosovë për diçka që nuk po përfundojka. Unë besoj se me LDK-në ne mund ta zgjidhim bashkë edhe presidentin”, tha Konjufca në një intervistë për emisionin Context me Leart Hoxhën.
Më tej, Konjufca tërhoqi një paralele mes Kosovës dhe Gjermanisë. Tha se do të ishte ideale nëse skena politike e vendit do të ‘kopjonte’ disa principe të politikës gjermane.
Në këtë krahasim, ai mori shembullin e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Gjermani dhe i krahasoi ato me situatën paszgjedhore në Kosovë. Konjufca e vendosi PDK-në në vendin e AfD-së, partisë neonaziste të ekstremit të djathtë.
Ndonëse nuk e krahasoi PDK-në me AfD-në për idetë politike, të cilat qartazi dallojnë, por shpjegoi sesi partia e tretë në Gjermani, SPD-ja, pranoi të lidh koalicion me CDU-në (partinë fituese të zgjedhjeve) “për hir të Gjermanisë”.
“Tash po na vyn një hap tjetër se po e shoh që po mungon. Hapi tjetër do të ishte, nëse Kosova – po ajo me siguri kërkon edhe disa vite sepse nuk jemi ende në atë nivel – po për shembull nëse do t’i afroheshim disa principeve të Gjermanisë. Gjermania i ka dy principe shumë të shëndosha të cilat ata i respektojnë qe nja 80 vjet, prej pas luftës së dytë botërore. Atje dy parti e bëjnë politikën, kryesisht, por tash ka dal edhe një tjetër, AfD-ja”, tha ai.
“Por, CDU-ja me SPD-në i kanë dy principe të cilat i respektojnë gjkithmonë. Nëse CDU-ja del e para, atëherë tjetra ia bën përhajr kryeministrin menjëherë. Edhe anasjelltas. Edhe 1 për qind nëse është dallimi, ia bëjnë kryeministrin përhajr njëri-tjetrit”, vazhdoi Konjufca.
“Tjetra është që nëse tash po del rezultati zgjedhor edhe SPD-ja doli e treta, qysh doli në këto zgjedhje për shembull. Tash CDU-ja po llogaritim që është Vetëvendosja në këtë rast, edhe është e para, ia bën ofertën të tretës – në këtë rast SPD-ja që është – ajo nuk ia refuzon ofertën se është për hir të Gjermanisë. Merre me mend SPD-ja me i thënë CDU-së ‘jo, s’po du, shko ti me AfD-në po du me të pa’, sikurse që po bën LDK-ja tash”, përfundoi ai.
Konjufca, në bisedën me moderatorin Leart Hoxha në ATV, tha se PDK-së do t’i bënte mirë qëndrimi në opozitë për tetë vite të plota, deri në përfundim të një mandati të dytë të plotë të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. /Paparaci.com
