Sulmet e Izraelit kundër Iranit kanë vrarë një numër të shkencëtarëve të tij kryesorë bërthamorë dhe kanë goditur objektet e tij bërthamore, por shkatërrimi i plotë i aftësisë së Iranit për të prodhuar uranium të shkallës së armëve besohet të jetë i paarritshëm – përveç nëse SHBA-ja pranon të ndihmojë.
Të paktën një vend kyç i pasurimit të uraniumit, Fordow, ka mbetur ende i paprekur nga sulmet izraelite.
I vendosur rreth 90 metra nën tokë, ekspertët ushtarakë besojnë se Fordow është çelësi i programit bërthamor të Iranit.
Sipas tyre, ky është vendi ku Irani është përpjekur të pasurojë uranium për qëllime armësh.
Mundësia më e mirë e Izraelit për shkatërrimin e objektit bërthamor në Fordow mund të jetë me një bombë të prodhuar nga SHBA-ja që është aq e rëndë sa mund të hidhet vetëm nga një aeroplan amerikan.
Bomba është GBU-57 Massive Ordnance Penetrator, e njohur si MOP.
Sipas Forcave Ajrore, ajo është krijuar për të sulmuar “objektet e groposura thellë nëntokë dhe bunkerët”.
Ai udhëhiqet nga GPS ushtarak dhe ka për qëllim të arrijë dhe shkatërrojë objektivat në objekte të mbrojtura mirë.
Sipas Forcave Ajrore, MOP ka një gjatësi prej rreth 6 metra dhe 31.5 inç në diametër.
Ai peshon pak më pak se 13,608 kilogramë, duke përfshirë rreth 2,400 kilogramë lëndë shpërthyese – eksploziv. Forcat Ajrore amerikane thonë se fuqia shpërthyese e MOP-it është mbi 10 herë më e madhe se ajo e paraardhësit të saj, BLU-109.
Është e projektuar për të depërtuar deri në 200 metra nën tokë përpara se të shpërthejë.
Për shkak të peshës së saj, GBU-57 është bomba më e rëndë e prodhuar nga SHBA – B-2 Spirit është aktualisht avioni i vetëm në Forcën Ajrore që është i aftë për ta bartur atë.
Një nga atributet kryesore të aeroplanit B-2 Spirit është fshehtësia e tij – ai është në gjendje të shmangë sistemet e mbrojtjeve ajrore. Është aerodinamikisht efikas dhe mund të mbajë dy bomba GBU-57.
B-2 bëri fluturimin e tij të parë në vitin 1989, në Kaliforni. Është përdorur për herë të parë në sulmet ajrore në Luftën e Kosovës, pastaj në Afganistan dhe në Irak.
Për vite me radhë, disa kongersmenë dhe ekspertë të mbrojtjes kanë propozuar që SHBA-ja t’i sigurojë Izraelit disa bomba dhe avionë GBU-57.
