Të fundit

Kolapson sistemi elektro-energjetik, KEK del thuajse tërësisht jashtë prodhimit

Sistemi elektro-energjetik i Kosovës është në prag të kolapsit total, derisa blloqet e dy termocentraleve të vjetëruara të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) po operojnë me mungësë evidente të prodhimit, bazuar në informatat që i ka siguruar Paparaci.

Mungesa e prodhimit të energjisë elektrike është shkaktuar nga ndërprerja e kushtëzuar e prodhimit në dy njësitë e Termocentralit Kosova A – në njësitë A3 dhe A5.

Momentalisht, nga pesë njësitë prodhuese të dy termocentraleve të KEK-ut, vetëm dy janë në funksion: A3-shi, i rikthyer sot në “gjendje stabile” pas rënies nga operimi të mërkurën dhe B1-shi.

Ekipet e KEK-ut po bëjnë gjithçka që është e mundur teknikisht që ta mbajnë në operim Njësinë B1 të Termocentralit Kosova B, i tha sot Paparacit një burim i informuar për ngjarjen.

I njëjti burim i tha Paparacit se KEK-u nuk ka nominuar asnjë megavat për orë energji elektrike për të shtunën, për shkak të mungesës evidente të prodhimit.

Paparaci kërkoi sqarime nga KEK-u për mungesën e prodhimit përmes pyetjeve me shkrim drejtuar Zyrës për Informim të premten, por korporata nuk i ktheu përgjigje mediumit deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

KEK, në një njoftim për media të premten në mesditë, njoftoi për rikthimin në operim të njësisë A3.

Në deklaratë, korporata nuk dha asnjë detaj rreth kapaciteteve aktuale prodhuese të njësive operuese të dy termocentraleve.

“Rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit ‘Kosova A’, të cilët kanë punuar pandërprerë, përfshirë edhe ndërrimin e tretë. Procesi i startimit ka filluar në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin është realizuar rreth orës 08:00”, tha KEK në deklaratën për shtyp.

Por kolapsin elektro-energjetik të vendit e konfirmoi distributori i energjisë elektrike, kompania KESCO.

KESCO paralajmëroi konsumatorët se nga nesër do të ketë mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë. Tha se kompania do të detyrohet që t’i mbulojë shpenzimet e konsumatorëve përmes importit.

“Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, tha KESCO.

Furnizimi me energji elektrike përmes importit në ditët e ardhshme paraqet sfidë të vështirë për kompaninë, sipas KESCO-s.

“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar”, tha Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike.

KESCO u bëri thirje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike gjatë ditëve të ardhshme.

Paslufte, në Kosovë operojnë në mënyrë aktive vetëm pesë blloqe: tri të Termocentralit Kosova A (A4, A4 dhe A5) dhe dy të Termocentralit Kosova B (B1 dhe B2).

Kapacitetet e blloqeve aktive në këto termocentrale janë diku mbi 1,000 megavat/orë (saktësisht 1070 megavat/orë).

Aktualisht, njësitë A3 dhe A4 të termocentralit Kosova A dhe B2 i Termocentralit Kosova B janë jashtë operimit. Njësia A4 ndodhet në remont që nga mesi i muajit maj. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci