Korporata Energjetike e Kosovës e ka pezulluar të enjten procesin e tenderimit për rehabilitimin dhe modernizimin e Njësisë A3 të Termocentralit Kosova A.
Tenderi është pezulluar një ditë para afatit përfundimtar për dorëzimin e ofertave, tha sot deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila mori një përgjigje nga KEK pas interesimit lidhur me procesin.
Bajrami tha se tenderi ka ngritur dyshime të forta për muaj me radhë, prej kur është hapur në muajin janar.
“Ky tender ka ngritur dyshime të forta për muaj me radhë, është zhvilluar në mënyrë të dyshimtë”, tha ajo.
Sipas Bajramit, ky pezullim nuk duket si veprim përgjegjës, “por si një hap për të mbuluar një skemë të mundshme korruptive me vlerë 137 milionë euro”.
“Pezullimi i sotëm duket si manovra e radhës për ta rikthyer nesër tenderin me të njëjtat probleme dhe përfitues të dyshimtë”, tha Bajrami.
Ajo, bëri thirrje që tenderi të anulohet plotësisht dhe aktorët e përfshirë të hetohen deri në fund. /Paparaci.com
