Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese për sqarim rreth situatës pas kalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një konferencë për media, Osmani ka konfirmuar se të martën (sot) e ka dorëzuar kërkesën për Gjykatën Kushtetuese.
“Kërkesa jonë është sot është qartësimi i pasojave juridike për moskonstituimin e Kuvendit në afat. Kjo bëhet për parandalimin e pasojave të pariparueshme. Kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun. Në rast se ka sukses në konstituim ne mund ta tërheqim”, ka thënë Osmani në konferencën për media.
“Neve na është dashur një mundësi kushtetuese që i rrit gjasat që kërkesa jonë të shpallet e pranueshme, në mënyrë që Gjykata të përgjigjet në pyetje”, ka thënë ajo.
“Ky bllokim ka sjellë në situatë ku Kuvendi nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë të veten. Edhe qeveria e presidenca nuk mund të ushtrojnë kompetencat pa Kuvendin. Ka çështje që ka të bëjë me ligjet, ushtrinë etj. Kuvendi nuk mund të ushtrojë asnjë kompetencë”, ka thënë tutje presidentja e Kosovës.
Osmani kërkoi masë të përkohshme nga Gjykata për rrjedhjen e afatit në lidhje me konstituimit të Kuvendit.
“Së bashku me kërkesën për interpretim të kompetencave kushtetuese, ne kemi dorëzuar për masë të përkohshme. Kjo ka të bëjë për pezullimin e afatit. Kjo e parandalon shkeljen e kushtetutës, konstituimin e një kuvendi pas afatit që do të mund të ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe formimin e një qeverie në kundërshtim me kushtetutën”, ka thënë Osmani.
“Nëse miratohet kjo masë, atëherë nuk rrjedh afati. Nuk e di sa mund t’i marrë kohë Gjykatës, por shpresoj që do të vendosë sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë ajo.
Derisa, dje për herën e 50-të ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Kjo situatë politike ka shkaktuar pakënaqësi të madhe tek qytetarët.
