Prokuroria Speciale nuk ka arritur të vërtetojë me prova konkrete lidhjen mes ish-kryeshefit dhe shtatë ish-aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe konsorciumit të kompanive fituese të projektit milionësh në lagjen Lakrishtë të Prishtinës.
Projekti për objektin afaristo-banesor në Lakrishtë ishte iniciuar nga NPB-ja, një ndërmarrje publike lokale në Prishtinë, në vitin 2021.
Një ndërtesë shumëkatëshe do të ndërtohej në partneritet publiko-privat, sipas një kontrate për dhënie në shfrytëzim të tokës së NPB-së.
Rasti është përcjell me kundërshtime politike dhe gjyqësore. Vetëvendosje dhe Ministria e Ambientit, e udhëhequr nga partia në pushtet, iniciuan kallëzim penal kundër projektit, duke u thirrur në dyshimet e ngritura për shkatërrim mjedisor dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët e NPB-së.
Hetimet e nisura për rastin në vitin 2023, rezultuan me aktakuzë të ngritur në vitin 2024 ndaj ish-kryeshefit të NPB-së, Hajdar Hoxha dhe shtatë ish-aksionarëve të ndërmarrjes: Dren Kukaj, Vesel Makolli, Genc Sherifi, Lendita Mekuli Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva.
Hajdar Hoxha akuzohej nga Prokuroria Speciale për lidhje të kontratës së dëmshme, si dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje me shtatë ish-aksionarët e ndërmarrjes.
Por, një trup gjykues i Departamentit Special të Gjykatës Themelore e hodhi poshtë aktakuzën ndaj Hoxhës dhe shtatë të tjerëve në muajin prill të këtij viti.
Aktvendimi u nxor më 23 prill nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, kryetar i trupit gjykues. Sipas aktvendimit, aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve ishte e pabazuar ligjërisht.
Tre muaj më vonë, ky aktvendim i gjyqtarit Krasniqi ka marrë formë të prerë. Më 9 korrik, Gjykata e Apelit – Departamenti Special e ka vërtetuar vendimin e Themelores. Ka konstatuar se aktakuza nuk e ka përmbushur standardin e dyshimit të bazuar mirë që të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilën janë akuzuar.
Sipas aktvendimit të Apelit, të cilin e ka siguruar Paparaci, Prokuroria Speciale nuk ka arritur të provojë me fakte konkrete se zyrtarët e akuzuar të NPB-së kanë kryer veprat penale. Nuk ka arritur të vërtetojë lidhjen subjektive mes zyrtarëve dhe kompanive të konsorciumit fitues të projektit. Nuk ka arritur as të dëshmojë elementet bazë të veprave penale për të cilat janë akuzuar të pandehurit.
“Kjo Gjykatë, gjen se gjykata e shkallës së parë, me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka mundur të argumentoj se lidhur me këtë rast ekziston bashkëkryerja në veprimet e të pandehurve për t’i kryer veprat penale si në aktakuzë, pasi që nuk është vërtetuar me asnjë provë lidhja e caktuar objektive dhe subjektive e të pandehurve, nuk e ka mbështetur dyshimin e bazuar mirë se mbi bazën e cilave fakte konkrete mund të vërtetohet që veprimet e të pandehurve ishin të motivuara t’i sjellin përfitim personave të tretë – operatorëve ekonomik, në rastin e caktuar kompanive përfituese të përshkruara në aktakuzë, dhe me asnjë provë nuk konstatohet ekzistimi i ndërlidhjes në mes së veprimeve të pandehurve se kishin për qëllim t’iu mundësonin përfitim të kundërligjshëm kompanive te cekura në akuzë”, thuhet në aktvendimin për hedhjen e aktakuzës ndaj të pandehurëve.
Bazuar në aktvendim, prokurori i rastit nuk ka arritur të provojë kryerjen e veprave penale nga të pandehurit me anë “provave të ligjshme”.
“Kjo Gjykatë, vë në dukje se për t’u ngritur aktakuza duhet të përmbushet standardi i dyshimit të bazuar mirë që nënkupton posedimi i provave të pranueshme që do të bindte një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur dhe që është kryer nga i pandehuri, e që Prokuroria, ka rolin aktiv në hetimin apo grumbullimin e provave, ngritjen e aktit akuzues, si dhe të bëjë provimin e saj me anë të provave të ligjshme, çka në këtë rast, bazuar në nenin 235 të KPPK-së, aktakuza nuk i ka plotësuar kushtet ligjore, në bazë të së cilës edhe nuk janë dëshmuar elementet bazë të veprave penale, për të cilat edhe janë akuzuar të pandehurit”, thuhet në aktvendimin e Apelit.
Edhe pretendimi i Prokurorisë për ekzistencën e një dakordimi mes të pandehurve për të kryer veprën penale, nuk është vërtetuar, sipas aktvendimit të Apelit.
Apeli ka konstatuar se 50% e vlerës së projektit të objektit shumëkatësh do t’i përkiste NPB-së.
“Një ndërmarrje publike ka për detyrë qëndrueshmëri financiare dhe të maksimizojë asetet e saj për të përfituar aksionarët, që në këtë rast është Komuna e Prishtinës”, thuhet në aktvendim. “Qëllimi i projektit të ndërtimit në Lakërishtë ishte të rriste kapitalin dhe asetet e NPB, duke e rikthyer atë në tregun e ndërtimit dhe duke gjeneruar të ardhura afatgjata.
Projekti i ndërtimit në Lakërishtë synonte të shfrytëzonte një pronë ekzistuese për të krijuar një zhvillim të ri, ku mbi 50% e vlerës së projektit do t’i takonte NPB-së”.
Po ashtu, Gjykata ka theksuar se marrëveshja nuk parashikon shitjen e pronës publike, “por përdorimin e saj për një investim të përbashkët që përfiton NPB-në, duke garantuar të ardhura për ndërmarrjen”. /Paparaci.com
