Sot katër vite më parë, Besnik Mujeci mund të ketë qenë duke u përgatitur për garën e Asamblesë Komunale në zgjedhjet lokale në Prishtinë.
Të njëjtën mund të ketë qenë duke e bërë edhe sot. Pra, përgatitjen për garën zgjedhore për një mandat të tretë si asamblist në Prishtinë.
Por, gushti i vitit 2025 e gjen ish-asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje në një situatë krejtësisht të ndryshme. Shumë të rëndë.
Saktësisht sot dy vite më parë, më 15 gusht të vitit 2023, Mujeci u arrestua në Shqipëri nën dyshimet për trafikim me narkotikë dhe që atëherë është i privuar nga liria. Po qëndron në burgjet e Shqipërisë. Është përjashtuar nga partia. I është hequr mandati i asamblistit.
Mujeci është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim nga një gjykatë e shkallës së parë në Tiranë.
Aktgjykimi ndaj tij dhe katër të tjerëve është shpallur në dhjetor të vitit 2024.
Rasti ndaj tij dhe katër të tjerëve, të shpallur fajtorë për trafikim me narkotikë nga Kosova në Shqipëri, aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Rasti është apeluar nga avokatët e të pandehurve.
Sipas një njoftimi të Gjykatës së Apelit të Shqipërisë para disa muajve, seanca e fundit gjyqësore në rastin e Mujecit dhe të tjerëve është mbajtur më 26 qershor të vitit 2025.
Gjyqtar i rastit është Dritan Hasani.
Bashkë me Mujecin, në të njëjtën çështje të pandehur janë edhe Mithat Ramadani, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdija.
Gjatë operacionit të Policisë së Shtetit në të cilin u arrestua Mujeci në Tiranë, u sekuestruan gjithsej 11 mijë e 300 tableta ekstazi MDMA, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Mujeci, së bashku me katër të tjerët, dyshohet se kanë kaluar drogën nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. /Paparaci.com
