Xhezide Aliu nuk mund të ushtrojë për pesë vitet e ardhshme funksionin e komisioneres në zgjedhje, siç bëri të dielën e 17 tetorit.
Komisioneres së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit lokale i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje për pesë vitet e ardhshme, bazuar në një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të nxjerrë të enjten.
Shkak i vendimit u bë një ankesë e paraqitur ndaj saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe dy organizata jo-qeveritare, për një postim të një fotografie në Facebook ku ajo shfaqej duke votuar në ditën e zgjedhjeve dhe bënte thirrje për të votuar LVV-në.
“PZAP, të njëjtës ia ka ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje, si kandidate, apo si pjesë admistrative e ndonjë organi zgjedhor për pesë vite”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Për veprimet e Aliut, PZAP-ja i ka shqiptuar një gjobë prej një mijë eurove Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit politik që ajo përfaqësonte si komisionere.
Megjithatë, sipas vendimit të PZAP-së, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar të arsyetohet se ajo nuk është përfaqësuese e subjektit. /Paparaci