Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka folur në emisionin Pressing lidhur me punën e tij gjatë mandatit, duke numëruar disa nga projektet e realizuara dhe sfidat e hasura.
“35 premtime kanë qenë, janë disa probleme që na kanë dalë gjatë rrugëtimit, nuk kemi pas mundësi me i realizu të gjitha,” tha Shehu.
Ai theksoi se prioritet i punës ka qenë fusha e arsimit, përfshirë ndërtimin e çerdhes së fëmijëve dhe funksionalizimin e shkollës fillore “Edmond Hoxha”, objekti i së cilës kishte nisur të ndërtohej në vitin 2019. Një tjetër projekt i përmendur nga Shehu është edhe rruga që lidh qytetarët e komunës dhe rrethinës me bjeshkët e Junikut.
“Përveç këtyre, kujdes të veçantë i kemi kushtuar mbrojtjes së ambientit, ndërtimit të kanalizimit për ujërat e zeza, kanaleve për ujitje të tokave për fermerët. Kemi ofruar shërbimin 24/7 në javë për shëndetësi në komunën e Junikut për herë të parë pas 20 vitesh,” shtoi ai.
