Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri i ka kritikuar ashpër deklarimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti rreth përplasjes së tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ymeri i kontestoi sot deklaratat e kryeministrit, i cili tha se nuk është problem i tij largimi i Serbisë nga ndikimi rus.
“Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit? Një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është një Serbi e fuqizuar ushtarakisht, autoritare përsëbrendshmi dhe e rrezikshme për secilin në rajon. Madje edhe e nxitur për tensionim të vazhdueshëm në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut”, tha Ymeri. “Për Albin Kurtin këto nuk qenkan problem i tij. Si bëhet që siguria e Kosovës nuk qenka problem i Albin Kurtit?”.
Sipas një shkrimi të Ymerit në rrjetin social Facebook, Kurti po thotë që ShBA-të e përkrahin krimin në veri.
“Në anën tjetër u paska thënë studentëve që ShBA kundërshton vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri dhe për këtë kemi mospajtime (të cilat realisht janë sanksione nga ShBA ndaj Kurtit). Problemi i dytë ky: Kurti po thotë që ShBA e përkrahin krimin në veri meqë e sanksionojnë Kosovën kur e lufton atë”, vazhdoi Ymeri. “Sëkëndejmi nuk qenka problem (i Kurtit) ndikimi rus në Serbi, por ndikimi amerikan në Kosovë”
“A është duke e ditur Kurti se çka po flet? Apo thjeshtë është freestyling (çka t’i bjen në mend qatypërqaty). Po shpresoj që përnjëmend nuk po e din. Po shpresoj që këto qëndrime janë të rastësishme”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha të dielën se arsyeja pse Uashingtoni ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovës ka të bëjë me mbylljen e strukturave serbe në veriun e Kosovës.
I pyetur gjatë një bashkëbisedimi me studentë të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja më 12 shtator, Kurti tha se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.
“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.
Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij, ka “pengesa”.
“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.
