Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Rahovecit, Burim Krasniqi, ka njoftuar se sonte do të jetë në takim me banorët e Krushës së Madhe, ku do të diskutojë për projektet e planifikuara për këtë fshat me rëndësi historike dhe ekonomike.
Në postimin e tij, Krasniqi e ka cilësuar Krushën e Madhe si “heroike” dhe ka theksuar se aty do të takohet me “njerëzit e punës dhe të sakrificës së madhe për liri”.
Ai ka prezantuar një listë projektesh konkrete që synon të realizojë në këtë zonë, përfshirë investime në infrastrukturë, ndriçim publik dhe sport.
Ndër projektet e paralajmëruara janë:
• Zgjidhja e problemit të kanalizimit në gjithë fshatin;
• Asfaltimi i disa rrugëve, përfshirë “Drini i Bardhë”, “Arif Shala” dhe “Agim e Sami Nalli”;
• Rregullimi i lumit që vjen nga Brestoci;
• Ndërtimi i fushës së futbollit të KF “Bashkimi” dhe riaktivizimi i klubit;
• Mirëmbajtja e rrugëve fushore dhe përmirësimi i infrastrukturës në zonat me nevoja urgjente.
“Për Krushën e Madhe kam planifikuar shumë punë, vëmendje të vazhdueshme dhe projekte që do të sjellin ndryshim të dukshëm për banorët,” ka shkruar Krasniqi, duke ftuar qytetarët të marrin pjesë në takimin e mbrëmjes.
