Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Andi Belegu, ka theksuar rëndësinë e kujdesit ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, duke e cilësuar atë si një detyrë morale jo vetëm institucionale.
Ai ka ndarë përvojat e tij nga aktivitetet vullnetare me organizata që punojnë për identifikimin dhe mbështetjen e hershme të këtyre fëmijëve, duke theksuar forcën dhe dinjitetin e tyre, si dhe sfidat me të cilat përballen familjet e tyre.
Belegu ka premtuar se do të përmirësojë shërbimet për këtë kategori, duke rritur numrin e asistentëve edukativë në shkolla dhe çerdhe, duke përshtatur hapësirat publike dhe shkollat sipas standardeve të qasjes universale, dhe duke hapur një Qendër të Re të Kujdesit Ditore për fëmijë me nevoja të veçanta. Ai gjithashtu premton punësimin e logopedëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe forcimin e bashkëpunimit me organizatat e fushës.
“Këta fëmijë nuk kërkojnë mëshirë, kërkojnë mundësi dhe dinjitet. Prishtina duhet të jetë qytet që kujdeset për secilin fëmijë”, ka deklaruar Belegu.
