“Albin Kurti po punon për destabilizimin e serbëve të Kosovës dhe, si duket, edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka deklaruar për Agjencinë serbe të informimit JUGpress politikanja serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq.
Ajo konsideron se “zgjedhjet në Kosovë kërkojnë një analizë serioze”, transmeton Paparaci.
“Në mjediset serbe, fitoi Lista Serbe siç pritej, por me përqindje më të ulëta, dhe kjo për dy arsye: shpërngulja e konsiderueshme e serbëve pas largimit nga institucionet dhe shtimi i shqiptarizimit të komunave me shumicë serbe”, ka pretenduar Trajkoviq.
Ajo ka paralajmëruar se e ardhmja e komunave serbe në veri “do të jetë plot sfida mes pushtetit lokal serb dhe atij qendror, veçanërisht nëse qeverinë e Kosovës do ta udhëheqë Kurti në mënyrë represive”.
“Kurti po punon për destabilizimin e serbëve në Kosovë, dhe sipas disa qarqeve mirë të informuara, edhe në Maqedoninë e Veriut, ku në koalicionin e partive shqiptare VLEN, një koalicion i ri që mbështetet nga Irani, Turqia dhe Albin Kurti, po tentohet të shtyhen në prapavijë partitë shqiptare që kanë stabilizuar Maqedoninë e Veriut përmes Marrëveshjes së Ohrit”, ka pretenduar Rada Trajkoviq./Paparaci.com
