Prokuroria Speciale ka njoftuar se prokurorit Beqë Shala i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për veprën penale të marrjes së ryshfetit.
“Prokuroria Speciale, brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, njofton prokuroria.
Bëhet e ditur se gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale.
Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, është arrestuar në vendin e tij të punës, mëngjesin e së hënës në një aksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Arrestimi i tij është bërë bazuar në një video-incizim të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Në të njëjtën kohë, ky video-incizim është pranuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, dhe më pas janë zhvilluar hetimet nga PSRK-ja.
Kjo provë ngrit dyshimet për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti” nga prokurori Shala.
Bazuar në video-incizimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokurori Shala është takuar me një avokate, që dyshohet të jetë Drenushë Berisha.
Takimi i tyre është zhvilluar më 25 gusht 2022 në veturën e Shalës. Avokatja Berisha në këtë takim dyshohet se i jep ryshfet Shalës 350 euro, për të mos paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit, pas ndalimit të klientit të saj për 48 orë.
