Luciano Spalletti, trajneri i ri i skuadrës së Juventusit, e ka cilësuar si një futbollist të mirë sulmuesin kosovar, Edon Zhegrova.
Spalletti është deklaruar pas barazimit me Sportingun në kuadër të Ligës së Kampionëve, ku ka thënë disa fjalë edhe për Zhegrovën.
“E njihja edhe më parë, por më ka bërë shumë përshtypje për shpejtësinë që ka, sepse është me të vërtetë një rrufe në hapësira të ngushta. Përveç kësaj, ka një ndjeshmëri të veçantë në prekje, di të kontrollojë topin me finesë, ta prekë me elegancë, të bëjë atë lëvizjen e vogël që të krijon avantazh”, ka thënë tekniku italian.
Ish-selektori i kombëtares italiane ka bërë të ditur se ishte konsultuar me stafin mjekësor para inkuadrimit të Zhegrovës në lojë.
Ai është shprehur optimist se Zhegrova do ta përmirësojë formën e tij me stërvitje.
“Duke folur me mjekët më kishin thënë se për momentin nuk kishte shumë kohë në dispozicion, por me kalimin e stërvitjeve do të rritet, do të përmirësohet. Prandaj, jemi të bindur se kemi një lojtar që mund të na jap shumë zgjidhje”, ka përfunduar Spalletti.
Zhegrova u inkuadrua në minutën e 72-të në barazimin e Juventusit me Sportingun mbrëmë.
Sulmuesi kosovar ishte transferuar te klubi italian në shtator të këtij viti, por për shkak të një lëndimi të mëhershëm nuk kishte marrë shumë minuta në fushë.
