Të dielën u gjetën edhe 23 gëzhoja pranë veturës së Millan Vukashinoviqit. Përsëri është deklaruar avokati i tij Ivan Niniq, i cili prej disa ditësh po publikon detaje në lidhje me rastin e serbit të plagosur, i cili është plagosur, rrëmbyer dhe dërguar nga Kosova, pikërisht në vijën kufitare, në të ashtuquajturën “pikë zero”. Ai aktualisht ndodhet në spitalin e Nishit, ku mjekët, sipas raportimeve, po luftojnë për jetën e tij.
Të përkujtojmë se avokati serb Niniq më 3 nëntor alarmoi publikun përmes rrjeteve sociale për incidentin që, sipas tij, ka ndodhur më 1 nëntor në fshatin Jellakcë, në komunën e Leposaviqit. Sipas pohimeve të tij, Vukashinoviqi është plagosur rëndë dhe rrëmbyer, ndërsa pas incidentit është dërguar në Qendrën Klinike të Nishit, transmeton Paparaci.
Policia e Kosovës, dy ditë pas incidentit, ka konfirmuar se disa persona të maskuar kishin hyrë në Kosovë, kishin plagosur Vukashinoviqin dhe më pas atë e kishin dërguar në Serbi. Për rastin është njoftuar KFOR-i, ndërsa hetimet po i udhëheq Drejtoria për Krimin e Organizuar dhe Veprat e Rënda, e cila ka marrë në pyetje disa dëshmitarë.
Ndërkohë, Niniqi ka paraqitur kallëzim penal kundër pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë dhe grupit të Millan Radoiçiqit, për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Ai gjithashtu ka publikuar emrin dhe mbiemrin e pjesëtarit profesional të ushtrisë serbe i cili ka qenë “karremi” për Vukashinoviqin. Ky person, sipas Niniqit është Daki Antiq.
Ai gjithashtu ka publikuar fotografi të automjetit të shkatërruar, duke e përshkruar të gjithë rastin si “Banjska 2”.
Dje, ai është deklaruar përsëri, duke thënë se të dielën janë gjetur 23 gëzhoja pranë veturës së Millan Vukashinoviqit.
Përndryshe, avokati Niniq ka bërë të ditur se po merr kërcënime të vazhdueshme përmes kanalit në Telegram “Koridor”, për shkak të raportimeve të tij të përditshme lidhur me rastin e Vukashinoviqit të plagosur./Paparaci.com
