Ambasadori i dyshuar për skandalin financiar të kompanisë energjetike sllovene GEN, Martin Berishaj, ka një të kaluar të përbashkët edhe me kompaninë CETIS d.o.o, kompaninë e kontraktuar për shtypjen e fletëvotimeve zgjedhore në Kosovë.
Berishaj kishte figuruar bashkë-aksionar në shoqërinë aksionare ‘Nacional’, të regjistruar në Shqipëri, bashkë me kompaninë CETIS d.o.o.
Shoqëria Aksionare ‘Nacional’, sipas të dhënave pranë Qendrës Kombëtare të Bizneseve në Shqipëri, ishte themeluar nga katër subjekte afariste dhe një person. Në mesin e katër subjekteve figuron CETIS d.o.o, si dhe Martin Berishaj.
Martin Berisha, zyrtarisht zotëronte 10% të aksioneve të shoqërisë aksionare ‘Nacional’ në Shqipëri.
Dokumentet zyrtare në Shqipëri tregojnë se Berisha kishte qenë pjesë e bordit të shoqërisë aksionale ‘Nacional’. Pjesë e këtij bordi, sipas të dhënave zyrtare, kishte qenë edhe Simona Potoçnik, një shtetase sllovene, përfaqësuese e kompanisë CETIS d.o.o.

Në Kosovë, kompania CETIS ishte regjistruar përmes filialit të saj nën emrin e biznesit: CETIS Prishtina.
Degën e themeluar në Kosovë më 2006, CETIS d.o.o e kishte shpallur pasive më 2022.
Në biznesin e regjistruar në Kosovë, nën emrin CETIS Prishtina, kompania më CETIS d.o.o posedonte 51% të aksioneve, ndërsa pjesën tjetër të aksioneve i zotëronin Oti Group dhe afaristi Bashkim Selimi. /Paparaci.com
