Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë, për trenin ruso-serb që po udhëtonte drejt Mitrovicës me sloganet “Kosova është Serbi”, e i cili më pas u ndalua nga autoritetet e vendit tonë, thoshte se kjo ishte lojë e ish-presidentit, Hashim Thaçi bashkë me Aleksandar Vuçiqin.
Ndërkaq, pas ardhjes në pushtet, siç duke i pari i Lëvizjes Vetëvendosje ka ndryshuar dhe bashkë me deputetët e subjektit të tij po kërkojnë unitet politik edhe në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç ndodhi gjatë ditës së djeshme.
Shefi i Qeverisë të shtunën propozoi një rezolutë në Kuvendin e Kosovës kundër referendumit serb, ku bashkë me votat e AAK-së dhe atyre të LDK-së, gjatë ditës së djeshme e miratuan.
Por, 5 vjet më parë kur autoritetet në Kosovë ndaluan trenin që po udhëtonte nga Serbia drejt Mitrovicës, gjatë kohës sa president ishte Hashim Thaçi e kryeministër Isa Mustafa, Kurti i kishte cilësuar veprimet që e ndaluan trenin ruso-serb si “lojë” politike.
Kryetari i Qeverisë madje pati deklaruar edhe se Thaçi ishte koordinuar me Vuçiqin për këtë.
Kurti gjatë asaj kohe kishte thënë se kjo është “lojë” që po e luan Thaçi për t’i zhvendosur negociatat Serbi-Kosovë në nivel presidentësh, në mënyrë që të jetë më dorëlirë për t’i mbyllur “koncesionet” për Trepçën dhe “Zajednicën”.
Edhe vite më parë kur Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një deklaratë përmes së cilës kishte kundërshtuar dhe shpallur të paligjshëm e të pavlefshëm Referendumin e Strukturave Paralele në Komunat Veriore të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje si opozitë kishte refuzuar të votonte “pro” asaj deklarate.
Po ashtu, kreu i ekzekutivit dje u kritikua nga deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, të cilët thanë se kryeministri po e përdorë votimin e rezolutës për t’u fshehur nga presioni që po ia bëjë aleatët më të mëdhenj të vendit.
