Edward Joseph, ligjërues në universitetin “Johns Hopkins” në SHBA, ka treguar arsyet se përse kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shihet si pengues i politikave amerikane nga burokratë të Departamentit të Shtetit.
Joseph të mërkurën është përgjigjur me “Po” kur është pyetur nëse Kurti shihet si pengues nga kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” në KTV, ai tha se prova e fundit ishte pezullimi i Dialogut të planifikuar Strategjik, për të shtuar se e ka cilësuar si të gabuar pezullimin e tij nga ana e SHBA-së.
“Në rregull, së pari më lejoni të them se ishte një nder të ftohesha të dëshmoja dje para këtij nënkomisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për seancën dëgjimore të çështjeve të jashtme. Kjo është një seancë dëgjimore shumë e rëndësishme dhe mund të shihnim se kishte interes të madh për Ballkanin si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët në atë komision. Së dyti, dua të them këtë, se Kosova do të mbajë zgjedhje më vonë këtë muaj dhe nuk dua të ndërhyj në ato zgjedhje me komentet e mia”, ka thenë Joseph.
“Së treti, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, sepse ajo ishte një pyetje e drejtpërdrejtë nga kryetari i nënkomisionit, Keith Self i Teksasit. Dhe është e drejtë që ju të pyesni për këtë. Dhe, përgjigjja ishte e qartë. Si mund t’i përgjigjet dikush me “jo” pyetjes nëse Departamenti i Shtetit e sheh kryeministrin Kurti si pengues? Përgjigjja sigurisht është “po”, vetëm sepse i dimë provat”, ka thenë ai.
“Prova më e fundit ishte pezullimi i Dialogut Strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, që ndodhi në shtator. Ne e dimë nga komentet dhe kritikat e mëparshme dhe sigurisht masat ose sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur mbi Kosovën”.
