Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka ulur ndjeshëm financimin për programet që synojnë të kundërshtojnë dezinformimin, sulmet kibernetike dhe ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të shkurtimeve më të gjera në ndihmën e huaj, shkruan The Guardian.
Fondet e dedikuara për rajonin janë reduktuar me rreth 40%, nga 40 milionë paund vitin e kaluar në 24 milionë paund për periudhën financiare 2025–26, sipas të dhënave zyrtare. Shkurtimet prekin mbështetjen për forcimin e institucioneve demokratike, median e pavarur dhe kapacitetet për t’u përballur me kërcënimet kibernetike.
Ballkani Perëndimor – që përfshin Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – është përshkruar më herët nga kryeministri Keir Starmer si një rajon “jetik për sigurinë kombëtare” të Mbretërisë së Bashkuar dhe “kryqëzimi i Evropës, ku vihet në provë siguria e kontinentit”.
Shkurtimet lidhen me politikën e re të qeverisë për të ulur Ndihmën Zyrtare për Zhvillim (ODA). Në kuadër të Fondit të Integruar të Sigurisë (ISF), shuma e ODA-së për Ballkanin Perëndimor është reduktuar nga 31.9 milionë paund në vitet 2024–25 në rreth 17 milionë paund për vitet 2025–26. Paralelisht, është shënuar edhe një ulje prej mbi 1 milion paundësh në financimin jo-ODA për rajonin.
Viti financiar 2025–26 shënon fillimin e një tranzicioni gradual drejt uljes së ODA-së nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare bruto deri në vitin 2027.
Emily Thornberry, kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin britanik, tha se gjatë një vizite të fundit në Ballkanin Perëndimor kishte parë nga afër sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit. “Ata janë në vijën e parë të luftës kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes ruse,” tha ajo, duke shtuar se nevojitet “më shumë mbështetje për median e pavarur, jo më pak”.
Edhe organizatat joqeveritare kanë shprehur shqetësim. Dr. Kate Ferguson, nga organizata Protection Approaches, tha se Mbretëria e Bashkuar kishte ndërtuar një reputacion të fortë si partnere e besueshme në rajon. Sipas saj, në një kohë kur Rusia po intensifikon përpjekjet për të minuar demokracinë në Evropë, kjo udhëheqje “duhet të forcohet, jo të zbutet”.
Komentet vijnë ndërsa shefi i ri i MI6, Blaise Metreweli, paralajmëroi së fundmi se Britania ndodhet në “një hapësirë midis paqes dhe luftës”, duke e përshkruar Rusinë si një fuqi “agresive dhe revizioniste”.
