Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mori pjesë të hënën në hapjen e një spitali të ri në Trebinje, në Republikën Serbe të Bosnjë e Hercegovinës.
Nga aty, Vuçiq ka thënë se shtetet e rajonit, të udhëhequra nga Kroacia, po punojnë për ta rrëzuar atë. Ndër të tjera, ai e akuzoi edhe Kosovën.
“Njerëzit në Serbi e duan Republikën Srpska dhe nuk turpërohen ta thonë këtë. Është më mirë të jetosh si skifter për një ditë sesa të fshihesh si mi për pjesën tjetër të jetës. Fushata më e ndyrë po zhvillohet kundër Serbisë kudo në rajon, jo vetëm në Prishtinë dhe Zagreb, por edhe në Sarajevë dhe Podgoricë. Serbia do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe ne mund ta bëjmë këtë vetëm nëse jemi një pengesë mjaftueshëm e fortë.
Kroacia po punon së bashkume Kosovën dhe Shqipërinë për të na shkatërruar dhe po përbëjnë një kërcënim ushtarak.”
“Ne do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet ushtarake. Do ta dyfishojmë forcën tonë ushtarake, e cila tani është e dyta me rritjen më të shpejtë në botë, në dy vitet e ardhshme, sepse e dimë shumë mirë se çfarë është liria. Liria është gjëja më e rëndësishme për një serb. Do ta ruajmë atë, pa rrezikuar askënd. Vitin e kaluar bëtë gjithçka për të më rrëzuar me ndihmën e një faktori të jashtëm. Dështuat. Unë nuk jam Slobodan Millosheviq , nuk jam as naiv dhe as budalla që t’ju besoj. Ne po ruajmë paqen, por do të jemi të gatshëm t’i japim një përgjigje adekuate çdo agresori. Aq të fortë sa nuk do t’u ndodhë më kurrë. Amerika ka filluar të mbrojë interesat e saj. Çfarë do të bëjmë kur të thonë se u duhet Grenlanda? Nuk do të ndërhyjmë në këtë, le të vendosin vetë. Do t’i pyesim se çfarë ndodhi me Kosovën”, tha Vuçiq.
