Kosova ka kohë që ka paralajmëruar padi ndaj Serbisë për gjenocid, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Edhe pas gati 26 viteve nga përfundimi i luftës, Kosova nuk ka arritur të bëj gati një padi, përmes së cilës Serbia do të paditej për gjenocid.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte dhënë një premtim se qeveria e tij po planifikonte të inicionte një padi ndaj Serbisë për gjenocid për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe politikat e “aparteidit dhe ndarjes etnike”.
“Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera”, kishte thënë Kurti gjatë një vizite në fshatin Poklek në mesin e muajit qershor të vitit 2021 gjatë përkujtimit të serisë së sulmeve ndaj civilëve, të njohura si masakrat e Drenicës.
“Ne duhet të padisim Serbinë për vrasjet e civilëve të pafajshëm, fëmijëve dhe grave shtatzëna, të moshuarve, për përdorimin e përdhunimit si një metodë lufte. Të gjitha këto gjëra janë të dokumentuara dhe do të dokumentohen”,kishte theksuar Kurti atë kohë.
Por megjithatë, as gati pesë vite nga kjo deklaratë një gjë e tillë s’ka ndodhur.
Konventa e Gjenocidit e Kombeve të Bashkuara nga viti 1948, teksti i së cilës përdoret si bazë për të gjitha gjykimet që përfshijnë gjenocidin, përcakton gjenocidin si “veprim i kryer me qëllim që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar” dhe përfshin “vrasja e anëtarëve të grupit, lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit, vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij”.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për ngritjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë përbëjnë një nga mashtrimet më të mëdha politike, të përdorura për qëllime elektorale dhe propagandistike, pa asnjë angazhim real institucional.
Ish-anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, tha se premtimi për padi është shfrytëzuar për të mobilizuar emocione dhe vota, ndërsa në praktikë nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret.
Njohësi i së Drejtës Penale dhe së Drejtës Ndërkombëtare, Ismet Salihu, ka vlerësuar se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për padi për gjenocid ndaj Serbisë po përballen me vonesa serioze për shkak të mungesës së punës së mjaftueshme institucionale në zbulimin, evidentimin dhe saktësimin e krimeve të luftës që nga çlirimi e këndej.
Sipas Salihut, problemi kryesor qëndron në faktin se Kosova nuk ka ndërtuar me kohë një bazë të fortë provash dhe faktesh, të administruara në mënyrë profesionale dhe të pakontestueshme, që do të mundësonin ngritjen e një akuze të qëndrueshme në instanca ndërkombëtare.
Ai ka thënë se hapi i parë duhet të jetë formimi i një ekipi të ekspertëve në nivel shtetëror, i cili do të punonte në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë.
Bekim Blakaj nga Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka vlerësuar se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të tjerë shtetërorë për ngritjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë kanë qenë kryesisht deklarative dhe të orientuara për konsum të brendshëm politik, pa veprime konkrete që do të dëshmonin përgatitjen reale të një procesi të tillë.
Blakaj theksoi se deri më tani nuk ka asnjë indikator serioz që Kosova po përgatit një padi për gjenocid, duke nënvizuar pengesat thelbësore juridike dhe institucionale.
Sipas tij, pengesa kryesore është mungesa e ulëses së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, çka e pamundëson paraqitjen e drejtpërdrejtë të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
