Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, i cili nuk po mundet të gjejë rehati me koalicione, ka emëruar për këshilltar berberin, Eldi Gashi.
Kryetari Xheladini thotë se nuk ka njohuri për profesionin e Gashit, mirëpo theksoi se është në dijeni se këshilltari i tij i ri e ende është në përfundime të studimeve universitare për gjuhën gjermane.
“Nuk e di nëse është berber apo jo. Me kualifikimet që më ka ardh e di që është student i vitit të tretë të gjuhës gjermane me korrespodencë”, u shpreh ai për Paparacin.
Gashi është djali i ish-kandidatit të AAK-së për kryetar të Dragashit, Agron Gashit.
Për këtë marrëveshje me Xheladinin, Agron Gashi ishte shkarkuar nga AAK-ja me arsyetimin se ka lidhur koalicion me LDK-në, pa u konsultuar me kryesinë.
“Shkarkohet nga të gjitha funskionet e AAK-së dega në Dragash, anëtari i kryesisë dhe njëherit ish kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit nga kjo parti, si dhe asamblistë në Kuvendin Komunal në Dragash nga radhët e AAK-së z.Agron Gashi, për shkak se i njëjti në kundërshtim me statutin e AAK-së dhe pa u konsultuar me kryesinë e AAK-së në Dragash, ka lidhur koalicion me partinë në pushtet LDK-së. Po ashtu i njëjti në kundërshtim dhe pa asnjë konsultim paraprak me kryesinë e AAK-së në Dragash, ka emëruar në postin e këshilltarit të kryetarit të komunës z.Xheladini nga radhët e AAK-së të birin e tij z.Eldi Gashi”, thuhej në vendimin e AAK-së të publikuar në fillim të janarit të këtij viti.

Që nga marrja e detyrës si i pari i komunës së Dragashit, Xheladini, ende nuk ka arritur të bëjë koalicion me partitë opozitare, pasi VV-ja u tërheq nga marrëveshja e nënshkruar me LDK-në për bashkëqeverisje në këtë komunë.
