Të fundit

Përfundon intervistimi i Faton Pecit në Prokurorinë Speciale

Ka përfunduar intervistimi i ish-ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, në Prokurorinë Speciale.

Ish-ministri Peci, tashmë kryetar i Komunës së Mitrovicës, është intervistuar nga prokurorët special në cilësinë e të pandehurit për rastin e subvencioneve.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj prokurorie, Arbnora Luta.

“Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve, i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, njoftoi PSRK.

Afera e granteve të Ministrisë së Bujqësisë “shpërtheu” në nëntorin e vitit 2024, kur eksponentë opozitarë hodhën dyshime për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove në emër të granteve në bujqësi.

Sipas denoncimeve që erdhën nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ministria e Bujqësisë i kishte dhënë grant në vlerë rreth 100 mijë euro kompanisë “Alda Farm Ria” në pronësi të Blerim Pacolli, vëllait të ish-kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Fitore Pacollit.

Afera e granteve ishte thelluar pas refuzimit të aplikacionit për grant të Kooperativës Bujqësore “Krusha”, në pronësi të Fahrije Hotit, simbolit të grave të fshatit Krushë të Prizrenit dhe njërës prej 200 grave që humbën bashkëshortët ose djemtë gjatë luftës.

Në mesin e përfituesve me grante, sipas denoncimeve nga LDK, ishte edhe Kushtrim Nimoni, djali i axhës së Genc Nimonit, shefit të kabinetit të ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Faton Peci, i cili fitoi zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës në fund të vitit të kaluar, ndodhet nën hetim penal edhe për skandalin e tenderit të fabrikës për mbetje shtazore.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci