Kryeministri Albin Kurti për mos pagesën e rrymës nga serbët e veriut, ka fajësuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.
Ai në një konferencë për media tha se çështja e pagesës së rrymës në veri është politizuar para një dekade, kështu duke i fajësuar edhe qeveritë e kaluara për këtë gjendje.
“Në veri të Kosovës konsumohet energjia elektrike dhe nuk paguhet. Në njërën anë e kuptojmë rëndësinë e të drejtës për t’u furnizuar me energjinë elektrike. Ajo çfarë shpenzohet duhet edhe të paguhet dhe para gati një dekade kjo çështje është politizuar dhe madje ka pasur edhe marrëveshje në Bruksel që nuk është zbatuar”, tha ai.
“Unë besoj që qytetari i zakonshëm serb është i vetëdijshëm që duhet të paguaj energjinë elektrike. Atje ka disa struktura të cilët imponojnë interesat e tyre dhe e organizojnë një lloj padëgjueshmërie ndaj Kosovës dhe në këtë mënyrë u bëjnë dëme edhe qytetarëve pa dallim por edhe shtetit tonë”, u shpreh ai.
Kurti tha se po përpiqen t’i japin epilog kësaj çështje në mënyrë paqësore, në mënyrë që të arrijnë në atë pikë që të gjithë konsumatorët të paguajnë energjinë elektrike.
