Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka nënshkruar sot kontratën në vlerë 24 milionë euro për vazhdimin e punimeve në objektin e Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj.
Tenderi ishte paraparë të vlente afër 28 milionë euro, por një ofertë e një konsorciumi ekonomik në vlerë 24 milionë euro është shpallur fituese.
Tenderi për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt është fituar nga ky konsorcium: ADA CONSULTING GROUP SH.P.K.; SHM Architecture SH.P.K.; Termo Consing SH.P.K”.
Kryesuesi i konsorciumit, Ada Consulting Group është një kompani në pronësi të biznesmenit Avni Kastrati, nga fshati Burojë i Skenderajt. Kompania operon kryesisht në sektorin e prokurimit publik. Vitin e kaluar, ajo fitoi një llot të projektit të banimit të përballueshëm social në vlerë mbi 5 milionë euro.
Sipas dosjes së tenderit të publikuar në e-prokurim, gjithsej 8 grupe të operatorëve kishin marrë pjesë në këtë procedurë tenderuese.
Fituesi për këtë tender ishte shpallur në nëntor të vitit 2025 por për shkak të ankesave në Ministri të Shëndetësisë dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nuk kishte qenë e mundur nënshkrimi i kontratës.
Kjo procedurë e prokurimit kishte nisur në janar të vitit të kaluar. /Paparaci.com

