Gazetari Vehbi Kajtazi e konsideron si të “poshtër” deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me Ligjin për të Huajt dhe ndikimin e tij tek shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Shqiptarët e Luginës, përfshirë edhe ata që punojnë si këshilltarë në kabinetin qeveritar, sipas Kajtazit nuk janë marrë parasysh më parë dhe nuk kanë marrë mbështetje nga qeveria.
“Një gjë shumë të poshtër e tha Kurti. Tha me këtë vendim përfitojnë shqiptarët e Luginës, por para hyrjes në fuqi të tij, shqiptarët e Luginës çdo ditë kanë pas kërkesa për Kurtin me u ndryshu se dëmtohen ata, kërkush nuk i ka përfill, madje as ata të Luginës që ky i mban në kabinet në cilësi të këshilltarëve. Thjesht nuk është marrë me ta. Kur e zbatoj me serbët, tha përfitojnë edhe shqiptarët. Tradhtar i madh është”, ka theksuar Kajtazi.
Të shtunën (14 mars) në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti u takua me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.
Në një deklaratë për mediat, u njoftua zbatimi i këtij ligji, i cili, sipas Kurtit, do të zbatohet me lehtësi për serbët, përfshirë përdorimin e kartave të identitetit të lëshuara nga strukturat ilegale në Serbi.
“Zbatimi i këtij ligji do të prek një numër të konsiderueshëm qytetarësh që vijnë ose qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Vranja dhe qytete të tjera në Serbi. Disa prej tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore në sistemin paralel të paligjshëm të financuar nga Serbia. Dua të theksoj se nuk është në interes të Republikës së Kosovës që zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet të krijojë pengesa në ofrimin e shërbimeve themelore për qytetarët”, tha Kurti.
