Një numër i madh i tifozëve kosovarë kanë “pushtuar” kryeqytetin sllovak në prag të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës.
Ndonëse zyrtarisht “Dardanët” kanë siguruar vetëm 1300 bileta për ndeshje, numri i tifozëve kosovarë në stadium pritet të jetë shumë i madh se aq.
Deri në 8 mijë tifozë “Dardanë” pritet të jenë të pranishëm në stadiumin ‘Tehlne Pol’ në Bratisllavë.
Kështu ka deklaruar kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
“Presim fitore. Do të japim më shumë në fushë dhe jashtë fushës i falënderoj gjithë tifozët “Dardanë”. Janë diku 7 deri 8 mijë tifozë këtu në Bratislavë”, deklaroi Ademi.
Zyrtarët e federatës sllovake janë shprehur të shqetësuar me numrin e madh të tifozëve kundërshtarë në stadium. Fillimisht ata kishin deklaruar se në stadium nuk do të lejoheshin tifozët me pasaporta kosovare, por një gjë e tillë është demantuar nga menaxheri i kombëtares kosovare.
Federata sllovake e ka parashikuar përballjen ndaj Kosovës si të rrezikshme, megjithatë përmes një njoftimi ata kanë bërë të ditur se e kanë situatën nën kontroll.
Ndeshja mes Sllovakisë e Kosovës do të zhvillohet me fillim nga ora 20:45 dhe është e vlefshme për kualifikimet në Kupën e Botës.
