Izraeli ka miratuar ligjin që lejon dënimin me vdekje, por ky ndëshkim me varje në litar do të jetë vetëm për palestinezët e Bregut Perëndimor që janë të dënuar për vrasjen e izraelitëve.
Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia kanë kritikuar ashpër ligjin, duke deklaruar se dënimi me varje në litar mund të shtojë mundësitë për zgjerimin e dënimit me vdekje.
Aleatët e kanë cilësuar ligjin si de fakto diskriminues dhe kanë deklaruar se me miratim, Izraeli ka cenuar angazhimet e veta për parimet demokratike.
“Dënimi me vdekje është formë e ndëshkimit jo njerëzore dhe pa asnjë efekt pengues dhe rrëzon krejt vlerat fondamentale që na bashkojnë neve”, thuhet në një reagim të katër shteteve evropiane.
Ministri izraelit i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir ka bërë fushatë për ashpërsimin e ndëshkimeve për palestinezët që janë të dënuar për vepra nacionaliste kundër izraelitëve.
“Kemi bërë historinë”, ka thënë Ben-Gvir në një postim në X. “Secili terrorist që vret duhet ta di se do të dërgohet në litar”.
Mirëpo ministria palestineze e punëve të jashtme ka deklaruar se ligji “përbën vendimin për të kryer vrasje të institucionalizuar jashtëgjyqësore sipas standardeve raciste”.
