Të fundit

Zhvillimet e fundit në Prishtinë – Abdixhiku paralajmëron Ramën

Raportet mes Lumir Abdixhikut dhe Përparim Ramës mund të jenë ftohur sërish.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Abdixhiku, e ka paralajmëruar Përparim Ramën se çdo lloj marrëveshje që nuk kalon nga strukturat e LDK-së, nuk përfaqëson qëndrim zyrtar të partisë.

Ky paralajmërim vjen një ditë pas tollovisë së shkaktuar në kabinetin qeverisës të Ramës, i cili të hënën e shkarkoi nga pozita e drejtorit zyrtarin e LDK-së, Sokol Havollin. Pas shkarkimit, Havolli e akuzoi kryetarin Rama për “ndikim nga PDK-ja”.

Në vazhdën e këtyre akuzave, Lidhja Demokratike e Kosovës tha të martën përmes një komunikate për media se LDK nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në në Prishtinë, raporton Paparaci.

“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, tha LDK në komunikatë.

“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse.”

Tutje, LDK-ja e paralajmëroi Ramën se rrezikon të humbë përkrahjen e strukturës së saj politike në Prishtinë në rast të “çdo marrëveshje tjetër” pa aminin e partisë. Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, tha të hënën në mbrëmje në emisionin Pressing se është arritur marrëveshje për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së në Prishtinë.

“Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, thuhet në komunikatë.

Në përmbyllje të komunikatës, LDK tha se me çështjet lokale do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale.

“Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”, përfundon komunikata e LDK-së.

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci