Të fundit

Dëbohet nga Mali i Zi “garda sekrete” e Vuçiqit, e dërguar për ta sabotuar Samitin e Tivatit

Tetëdhjetë e shtatë shtetas të Serbisë, të cilët mbërritën dje në Tivat në orën 10:53 me një fluturim çarter të Air Serbia, u kthyen në Beograd në orën 15:53, pasi shërbimet malazeze të sigurisë vlerësuan se prania e tyre përbënte rrezik për sigurinë kombëtare të shtetit në prag të Samitit BE – Ballkani Perëndimor në Tivat, shkruan gazeta malazeze “Pobjeda”.

Në prapaskenat e përgatitjeve diplomatike për Samitin BE – Ballkani Perëndimor, në pistën e aeroportit të Tivatit u zhvillua një ndërhyrje vendimtare të sigurisë që, sipas këtij raportimi, pengoi një cenim serioz të stabilitetit të brendshëm të Malit të Zi.

Sipas të dhënave operative të shërbimeve malazeze të sigurisë, fluturimi çarter nga Beogradi ishte planifikuar të shërbente si mjet për një operacion hibrid dhe për dërgimin e një mesazhi politik të rrezikshëm drejt Brukselit. Për këtë arsye u mor vendimi që shtetasve serbë t’u ndalohej hyrja në vend.

Të dhënat operative të shërbimeve malazeze të sigurisë tregojnë se ardhja e planifikuar e këtij grupi kishte një qëllim të qartë: nxitjen e trazirave, organizimin e veprimeve në rrugë dhe ofrimin në mënyrë joformale dhe pa autorizim të “sigurimit” të ngjarjeve politike gjatë samitit, transmeton Paparaci.

Siç dyshohet, organizatorët e këtij operacioni synonin të shfrytëzonin praninë e zyrtarëve të lartë evropianë dhe, pikërisht në atë moment kyç, ta paraqisnin Malin e Zi si një shtet jofunksional që nuk kontrollon territorin dhe kufijtë e vet.

Megjithatë, me aktivizimin e mburojës kundërzbulimore të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB) dhe me ndalimin e shpejtë të këtij operacioni në pistën e aeroportit të Tivatit, shteti demonstroi pjekuri institucionale.

Ndalimi parandalues i hyrjes dhe kthimi i menjëhershëm i aeroplanit në Beograd rrëzuan atë që quhet “skenari i Tivatit”, ndërsa Mali i Zi u dëshmoi partnerëve ndërkombëtarë se është në gjendje të mbrohet në mënyrë efektive nga presionet e jashtme përmes ndërmjetësve dhe nga kërcënimet hibride.

“Në kuadër të aktiviteteve të orientuara drejt ruajtjes së një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë, shërbimet e sigurisë identifikuan me kohë persona me interes për sigurinë dhe, në përputhje me kompetencat ligjore dhe vlerësimin e rreziqeve, ndërmorën masat dhe veprimet përkatëse zyrtare, me të cilat këtyre personave iu pamundësua qëndrimi në territorin e Malit të Zi, duke u dorëzuar vendimi për ndalimin e hyrjes”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Drejtorisë së Policisë dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Është interesante se lidhur me këtë rast dje nuk reaguan as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, as Qeveria e Serbisë dhe as Ministria e Punëve të Brendshme e atij shteti, gjë që, sipas autorëve të këtij raportimi, forcon më tej dyshimet se ardhja e 87 shtetasve serbë në Mal të Zi kishte për qëllim destabilizimin e shërbimeve malazeze të sigurisë në prag të Samitit.

Ardhja e shtetasve serbë, të cilët në shërbimet e sigurisë janë evidentuar si persona me interes për sigurinë dhe të afërt me autoritetet në Beograd, ka nxitur debat nëse bëhet fjalë për një tjetër përpjekje të veprimit hibrid të drejtuar kundër Podgoricës, në një kohë kur Mali i Zi dëshiron të paraqitet si partner i besueshëm i Bashkimit Evropian.

Si një nga arsyet për këtë vlerësim përmendet fakti se disa persona nga ky grup kanë marrë pjesë në shumë tubime publike me rrezik të lartë sigurie, ndërsa disa të tjerë janë evidentuar për kryerjen e veprave penale dhe kundërvajtjeve që përmbajnë elemente dhune.

Në deklaratë theksohet se ndaj këtyre personave është vepruar pas kryerjes së verifikimeve të sigurisë, vlerësimit të rrezikut dhe profilizimit të tyre.

Shtohet se te disa prej udhëtarëve është gjetur një pankartë me mbishkrimin “Serbia fiton”, si dhe një pajisje për komunikim në distancë dhe një radio-stacion detar, futja e të cilave është regjistruar gjatë kontrolleve, përcjell Paparaci.

Nga Drejtoria e Policisë dhe Agjencia Kombëtare e Sigurisë u bë e ditur se shërbimet malazeze të sigurisë do t’i kundërvihen “fuqishëm, me vendosmëri dhe pa kompromis çdo forme veprimi keqdashës”, si dhe të gjitha grupeve të interesit, individëve dhe përpjekjeve për destabilizimin e shtetit.

Ata theksojnë gjithashtu se masat do të synojnë neutralizimin dhe zbulimin e veprimtarisë së grupeve kriminale dhe personave të lidhur me to që veprojnë në territorin e Malit të Zi, përfshirë lidhjet e tyre me elementë të huaj, që sipas tyre kanë si qëllim përfundimtar minimin e stabilitetit të shtetit dhe ngadalësimin e proceseve të integrimit evropian.

“Drejtoria e Policisë, duke angazhuar të gjitha forcat policore në dispozicion, kapacitetet, burimet njerëzore, pajisjet teknike dhe sistemet strategjike, në bashkëpunim me sektorin e inteligjencës dhe sigurisë – Agjencinë Kombëtare të Sigurisë, Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Malit të Zi – do të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e parashikuara me ligj që garantojnë zhvillimin e sigurt dhe të qetë të këtij eventi të rëndësishëm ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, në kuadër të të njëjtit operacion, zyrtarët e Drejtorisë së Policisë sekuestruan dy autobusë me targa të Republikës së Serbisë, për të cilët dyshohet se ishin të destinuar për transportimin dhe zhvendosjen e pasagjerëve të ardhur me fluturimin çarter nga Beogradi.

Nga policia bëhet e ditur se në lidhje me këtë po zhvillohen verifikime të hollësishme dhe po ndërmerren masa të mëtejshme për të përcaktuar të gjitha faktet dhe rrethanat.

Njëkohësisht, zyrtarët e Sektorit të Policisë Kufitare, inspektorët për të huajt, po kryejnë kontrolle të gjera ndaj shtetasve të huaj që qëndrojnë në territorin e Malit të Zi, për të verifikuar bazën ligjore të qëndrimit të tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kush janë pasagjerët e kthyer?

Listën me emrat e pasagjerëve të padëshiruar e publikoi në platformën X nënkryetarja e Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Marinika Tepiq, e cila pretendon se bëhet fjalë për persona me dosje të pasura kriminale dhe të afërt me autoritetet në Serbi.

Tepiq shpjegon se një nga pasagjerët ishte Nenad Jaqimovski, i cili drejtonte automjetin nga i cili dolën sulmuesit e studentit Lazar Diniq gjatë protestave studentore në Beograd.

Mes tyre, sipas saj, ishte edhe Nemanja Naraçi, një polic i suspenduar që me automjetin e tij përplasi dhe plagosi disa persona në Novi Sad, si dhe Stefan Kojoviq, një nga katër personat që i thyen nofullën një studenteje.

Nga Drejtoria e Policisë dhe Agjencia Kombëtare e Sigurisë u njoftua gjithashtu se ndaj këtyre personave do të niset procedura për ndalimin e hyrjes në Mal të Zi edhe për periudhën e ardhshme.

Po ashtu u bë e ditur se janë mbledhur të dhëna operative dhe të inteligjencës, të cilat, sipas tyre, tregojnë qartë se bëhet fjalë për persona prania e të cilëve në territorin e Malit të Zi do të paraqiste rrezik për sigurinë e brendshme dhe kombëtare, në përputhje me dispozitat e Ligjit për të Huajt.

Mes tyre ndodhen edhe persona të përfshirë në veprimtari kriminale nga Subotica, Nemanja Uveriq dhe Spasoje Vujoviq. Tepiq shpjegoi se Uveriq ishte dënuar për vepra të rënda penale dhe se, pas uljes së dënimit, ishte liruar dhe punësuar në Policinë Komunale.

Në rrjetet sociale të martën në mbrëmje u publikua informacioni se “nesër në mëngjes në aeroportin e Tivatit do të zbresin 80 kriminelë nga Beogradi për të ruajtur Vuçiqin”.

Reagime të ashpra të opozitës serbe

Vendimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq për të dërguar në Tivat, një ditë para Samitit BE – Ballkani Perëndimor, një aeroplan me 87 burra, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve figurojnë në dosjet policore si persona me interes për sigurinë, u dënua nga shumë politikanë opozitarë në Serbi.

I pari reagoi deputeti i Kuvendit të Serbisë, Borko Stefanoviq, i cili deklaroi se aktivitetet e Vuçiqit në rajon dhe “rruga e tij evropiane” shihen më së miri në shembullin e asaj që ai e quajti “fluturimi kriminal për në Tivat”, të organizuar personalisht prej tij.

“Ai dërgoi me një fluturim çarter, me një aeroplan të tipit “Embraer”, të paguar në rrethana të dyshimta, rreth 90 persona, shumë prej të cilëve kanë dosje kriminale, për të siguruar jozyrtarisht Vuçiqin në Samitin BE – Ballkani Perëndimor në Tivat. Policia malazeze i ktheu ata nga aeroporti i Tivatit pasi konstatoi se bëhej fjalë për “persona me interes për sigurinë”. Dërgimi i një ekipi paraprak policor është praktikë normale, por gjithmonë në koordinim me shtetin mikpritës dhe kurrsesi me 90 persona, përveç nëse je president i Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar Stefanoviqi.

Ai shtoi se Vuçiqi “nuk mund ta pranojë që nuk është figura kryesore në Samitin e Tivatit”.

Sipas tij, ky skandal përfaqëson fytyrën e vërtetë të politikës së Vuçiqit dhe dëmton marrëdhëniet me fqinjët, si dhe stabilitetin në Serbi dhe rajon.

Reagoi edhe lideri i Partia Srbia Qendër (SRCE), Zdravko Ponosh, i cili ironizoi se Vuçiqi “ka përparuar që nga viti 2015, kur dërgonte paraprakisht ekipe policore të pa paralajmëruara në Srebrenicë”.

“Tani ka dërguar në pararojë diplomantët e “Qacilendit” që të brohorasin “Aco, serb i vërtetë” në Tivat. Natyrisht, bashkë me instruktorët e tyre” ka deklaruar Ponosh.

Ai shtoi se Vuçiqit i duhet një konflikt me Malin e Zi për përdorim të brendshëm politik, me qëllim që të mbulojë problemet e shumta në Serbi.

Sipas Ponoshit, Samiti në Tivat do të jetë për Vuçiqin “vetëm një skenë teatrale”.

Sipas gazetës “Pobjeda”, mbrëmjen e kaluar policia kufitare serbe ktheu nga pika kufitare disa shtetas të Malit të Zi mbi moshën 18-vjeçare.

Policët kufitarë u thanë udhëtarëve se bëhej fjalë për një masë të përkohshme që nuk do të zgjaste shumë, por nuk dhanë shpjegime shtesë apo bazën ligjore të vendimit.

Deri tani nuk ka njoftim zyrtar nga autoritetet serbe për kufizime të mundshme ndaj hyrjes së shtetasve malazezë.

Burime jozyrtare pretendojnë se mund të bëhet fjalë për një masë reciproke pas kthimit të 87 shtetasve serbë që mbërritën me aeroplan nga Beogradi në aeroportin e Tivatit. Në pamjet e publikuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë në pikën kufitare Gostun shihej një kolonë e gjatë automjetesh që prisnin të hynin në Serbi./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci