Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së bizneseve vendore, duke i cilësuar ato si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe forcimit të shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, Arifi ka kritikuar qasjen e pushtetit aktual ndaj komunitetit të biznesit, duke deklaruar se biznesmenët nuk duhet të trajtohen si kriminelë, por si patriotë që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
“Biznesmenët nuk janë kriminelë, siç i trajton ky pushtet; janë patriotë të vendit dhe Aleanca si patriotë i trajton”, ka shkruar Arifi.
Ai ka bërë të ditur se programi i AAK-së parasheh rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, masë që sipas tij do të krijojë më shumë hapësirë për zhvillimin dhe fuqizimin e bizneseve.
Sipas Arifit, forcimi i bizneseve ndikon drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe në fuqizimin e shtetit.
“Programi ynë parasheh rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro. Kjo i forcon bizneset, forcimi i bizneseve është forcim i ekonomisë, ndërsa forcimi i ekonomisë është forcim i shtetit”, ka deklaruar ai.
