Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Kujtim Demiri, ka ndarë një mesazh emocional në rrjetet sociale, duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e babait të tij, Dr. Shaqir Demiri, në jetën dhe angazhimin e tij publik.
Demiri është shprehur se e konsideron një kënaqësi të veçantë faktin që gjatë këtij rrugëtimi politik ka pranë vetes babain e tij, të cilin e cilëson si shembull të dashurisë për atdheun dhe kombin, si dhe të përkushtimit profesional dhe njerëzor për të mirën e përgjithshme.
Ai ka theksuar se gjenerata së cilës i përket Dr. Shaqir Demiri është përballur me sfida të mëdha sociale, ekonomike dhe politike, por pavarësisht vështirësive nuk është dorëzuar dhe ka vazhduar të besojë në të ardhmen e Kosovës.
Në postimin e tij, kandidati i PDK-së ka nënvizuar se këshillat e babait të tij përbëjnë një udhërrëfim jetësor, duke u zotuar se në çdo vendim dhe veprim të tij do të kujtojë dëshmorët e kombit dhe sakrificën e brezave për lirinë e Kosovës.
“Në këtë rrugëtim, frymëzimi që marr nga familja dhe vlerat kombëtare mbetet udhërrëfyesi im kryesor”, ka lënë të kuptohet Demiri në mesazhin e tij, të cilin e ka përmbyllur me urimin: “Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë.”
