Të fundit

Dosja ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut: Vrasjet mizore, trajtimi çnjerëzor dhe dëbimi i rreth 20 mijë civilëve

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999. Aktakuza përshkruan vrasjet mizore, trajtimin çnjerëzor, dëbimet dhe shkatërrimin e pasurisë së civilëve.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, të akuzuar në këtë rast janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Reçak, Komuna e Shtimes, me dashje, në bashkëkryerje dhe individualisht dhe në përgjegjësinë komanduese, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisëm Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III-të e quajtur “Korpusi i Prishtinës”, dhe si pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP)- në të cilën bënin pjesë: Njësitë e Veçanta të Policisë të njohura si “PJP”, Njësitë Speciale Antiterrosite të njohura si “SAJ”, Njësitë e Divizionit për Siguri Shtetërore të njohura si “RDB”, Njësitë e Divizionit për Siguri Publike të njohura si “RJB” dhe Njësitë Rezervë, 21 të akuzuarit kanë shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile të nacionalistetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Në çfarë cilësie akuzohen se kryen krimet 21 të akuzuarit?

Krimet e lartpërmendura, aktakuza thotë se të akuzuarit i kanë kryer në këto cilësi: Obrad Stevanoviq- shef i administratës së MUP-it dhe ndihmës-ministër në Serbi, Radomir Markoviq- ndihmës-ministër i MUP-it, Divizioni i Sigurimit të Shtetit (RDB), Krsman Jeliq- Komandant i Brigadës 243 të Mekanizuar të Armatës së III-së të Korpusit të Prishtinës, Goran Radosavljeviq i njohur me nofkën “Guri”- ndihmës-komandant i Shtabit të Përgjithshëm për Operacione Speciale për Kosovë, Zhivko Trajkoviq- Komandant i Njësive Speciale Antiterroriste (SAJ), Bogoljub Janiqeviq- kryeshef i Sekretariatit për Punë të Brendshme në Ferizaj, Milan Leçiq- komandant i Njësive të Veçanta të Policisë së Serbisë i PJP, Radomir Mitiq- komandant i Stacionit Policor në Ferizaj, Dragan Gjorgoviq- komandant i Stacionit Policor në Shtime, Branko Mladenoviq- zëvendëskomandant i Stacionit Policor në Shtime, Dragan Jasoviq- polic dhe inspektor i hetimeve në Stacionin Polior në Ferizaj, Momqilo Sparavalo- polic dhe inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Ferizaj, Darko Amanoviq- polic dhe inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Ferizaj, Srboljub Vujnoviq- polic dhe inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Ferizaj, Bozhidar Marinkoviq- polic dhe inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Shtime, Zoran Stanojeviq- polic dhe inspektor i hetimeve në Stacionin Policor në Shtime, Milan Josanoviq- pjesëtar i PJP-së, Goran Petkoviq- pjesëtar i PJP-së, Dragoslav Nikoliq- pjesëtar i PJP-së, Çedomir Aksiq- pjesëtar rezervë i Policisë në Stacionin Policor në Shtime, dhe Zvonimir Janiqijeviq- pjesëtar rezervë i Policisë në Stacionin Policor në Shtime.

I akuzuari Çedomir Aksiq ngarkohet për krime lufte në Kosovë edhe me një tjetër aktakuzë të Prokurorisë Speciale. Në këtë rast, shkalla e parë e ka dënuar me 15 vjet burgim, por lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Vrasjet

Sipas aktakuzës, më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontrbuan në vrasjen e 42 civilëve të fshatit Reçak.

Në aktakuzë thuhet se rreth orës 06:00 të mëngjesit të asaj dite, e rrethuan fshatin Reçak, fillimisht granatuan nga distanca prej vendeve të njohura si “Pishat”, “Gështenjat”, “Çesta” dhe “Guri i Shpum” pastaj me automjete të blinduara hynë në fshat dhe filluan të kontrollonin shtëpi për shtëpi.

Me këtë rast, thuhet se në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashitit fillishisht e vrasin Banush Kamerin, të cilit pastaj ia presin kokën, kurse në vendin e quajtur “Vrella”, i vrasin Haki Metushin, Sabri Sylën dhe Arif Metushin. Më tutje, thuhet se në oborrin e shtëpisë së tij e vrasin Ahmet Mustafën dhe fqinjin e tij, Hajriz Jakupin. E në afërsi të shtëpisë së Zyk Mustafës, i vrarin Skender Halilin dhe Hanumshahe Mujotën.

Aktakuza thotë se të akuzuarit vazhduan në drejtim të lagjes “Beqaj”, dhe derisa disa civilë po largoheshin në drejtim të malit, u del në pritë policia serbe e cila pa paralajmërim shtie në drejtim të tyre, duke vrarë: Halim Beqirin, Riza Beqirin dhe Zenel Beqirin, kurse mbetën të plagosur: Aziz Beqiri, Zuhra Beqiri dhe Fetije Beqiri.

Në vazhdim të operacionit policor e ushtarak, thuhet se të akuzuarit hynë në lagjen “Emini”, e cila gjendej në pjesën perëndimore të fshatit, ku me armë zjarri në oborrin e tij e plagosën në këmbë Ismet Eminin dhe vranë vëllanë e tij, Ajet Eminin- që të dy civilë. Më pas, në vendin e quajtur “Çeshma” i vranë civilët Bajram Mehmeti, vajzën e tij- Hanumshahe Mehmetin, ndërsa të plagosur mbetën Elhami Mehmeti, Makfirete Hajrizi, Florije Hajrizi dhe Hasan Bilalli.

Gjithashtu, aktakuza thotë se në pjesën tjetër të fshatit, nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit dhe dyqanit të Luftës (siç e quanin fshatarët), gjuajnë me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët dhe vrasin plakun Nazmi Imeri, në mënyrë mizore duke ia kthyer kafkën, sikurse përshkruhet në raportin e autopsisë.

Më pas, aktakuza thotë se një tjetër grup i forcave serbe shkuan në shtëpinë e Sadik Osmanit dhe aty i gjetën dhe i strehuan rreth 70 banorë civilë të fshatit, fillimisht i ndanë burrat nga gratë, pastaj burrat i torturuan në oborr të shtëpisë dhe pas marrjes së një urdhri me radio-lidhje nga udhëheqësit e këtij operacioni, forca policore i morën burrat, i nxorën nga oborri një nga një dhe në kolonë për një i nisin në drejtim të malit tek “Kodra e Bebushit”, kurse policia paraprakisht kishte rrethuar rrugicën në të dy anët duke pritur ardhjen e civilëve dhe në momentin kur ata attijnë në këtë lokacion duke ecur në kolonë, nga të dy anët e rrugicës fillojnë të shtënat me armë automatike nga të gjitha anët pa ndërprerë, për disa minuta, duke i ekzekutuar 24 persona në mënyrë mizore.

Në aktakuzë thuhet se nga ky operacion i forcave policore serbe, u vranë mizorisht 42 civilë të të dy gjinive, të moshave të ndryshme, të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj popullsisë civile

Në aktakuzë thuhet se më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushatarake serbe, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në trajtimin çnjerëzor të rreth 30 civilëve të fshatit Reçak. Derisa po ekzekutonin një plan operacional sikurse në pikën I të aktakuzës, gjatë kontrollit shtëpi për shtëpi, vërejtën që në shtëpinë e Sadik Osmanit, në të paktën dy vende, ishin strehuar rreth 70 banorë- prej tyre rreth 30 gra e fëmijë, ndërsa në vendin e quajtur “Ahuri i bagëtive” ishin strehuar mbi 30 burra.

Fillimisht, thuhet se forcat serbe nga largësia prej shtëpisë së Ragip Bajramit, gjuajtën me armë të kalibrave të ndryshëm në drejtim të vendit ku ishin strehuar civilët, duke vrarë plakun Naim Imeri. Pastaj, rrethuan shtëpinë e Sadikut dhe rreth 30-40 policë hynë në oborr të shtëpisë, që të gjithë të armatosur, ku nën kërcënimin e armëve i detyruan të gjithë burrat të dalin në oborr, ndërsa gratë dhe fëmijët i mbyllën me çelës në bodrum.

Më pastaj, në aktakuzë thuhet se i kanë legjitimuar burrat, i kanë shtrirë për toke dhe filluan t’i rrahin në mënyrë çnjerëzore duke përdorur kondak të armëve, shqelma, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Pastaj, të dëmtuarit e dëgjuan një komunikim në radio-lidhjen e njërit prej policëve që ishte prezent, dhe pas këtij komunikimi, policia serbe i morën të dëmtuarit dhe i vendosën në kolonë, duke i detyruar të shkojnë në drejtim të zonës malore të njohur me emrin “Kodra e Bebushit”. Me këtë rast, disa prej tyre i ekzekutuan në mënyrën dhe formën e përshkruar sikurse në pikën I të aktakuzës.

Shkatërrimi i pasurisë së popullsisë civile

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se në kohë, datë dhe vend sikurse në pikën I të aktakuzës, forcat policore ushtarake serbe, ku bënin pjesë edhe të pandehurit, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Reçak. Fillimisht e rrethuan fshatin në tri drejtime nga vendet e quajtura “Pishat”, “Gështenjat” dhe “Çesta”, e pastaj nga distanca granatuan me të gjitha mjetet ushtarake dhe në fund me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan secilën shtëpi. Me këtë rast, banorët e strehuar i nxorën nga shtëpitë e tyre, kurse shtëpive ua vunë zjarrin duke i djegur të gjitha.

Me këto veprime, shkatërruan të gjithë pasurinë e paluajtshme dhe të luajtshme, duke shkaktuar dëm të madh material popullsisë civile, sikurse është evidentuar edhe nga Kuvendi Komunal i Shtimes përmes vendimeve të 20 janarit 2011 dhe 31 janar 2011.

Dëbimi i popullsisë civile

Në aktakuzë thuhet se forcat policore ushtarake serbe, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, ku bënin pjesë edhe të pandehurit, me dashje dhe në bashkëkryerje, morën pjesë dhe kontribuan në dëbimin e popullsisë civile të fshatit Reçak të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë. Fillimisht e rrethuan fshatin në tri drejtime, pastaj e granatuan me të gjitha mjetet ushtarake, e më pas me automjete të blinduara hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi më shtëpi, ku i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët- këta të fundit i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i vranë në mënyrë të përshkruar si më lartë. Kështu reth 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc dhe Dremjak, ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Me këto veprime, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 dhe 30 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i paraparë si “Krim kundër njerëzimit” e sanksionuar me nenin 143, lidhur me nenin 155 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në Kodin e Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën fillestare për 20 korrik 2026, dhe tashmë ftesa për seancë është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës, ku iu bëhet thirrje të akuzuarve për pjesëmarrje në seancë, si dhe palëve tjera në procedurë.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci