Në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tivat, nuk do të miratohet një deklaratë e përbashkët e pjesëmarrësve, ndonëse kjo ka qenë praktikë në disa takime të mëparshme të këtij lloji.
Sipas informacioneve të nova.rs, një nga arsyet për mungesën e dokumentit të përbashkët është fakti se disa shtete të rajonit kanë përparuar ndjeshëm në procesin e integrimeve evropiane në krahasim me të tjerat, gjë që e bën gjithnjë e më të vështirë harmonizimin e qëndrimeve dhe obligimeve të përbashkëta.
Bashkëbisedues të njohur me përgatitjet e samitit theksojnë se mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ekzistojnë edhe qëndrime të ndryshme për dinamikën, prioritetet dhe mënyrën e zbatimit të reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një problem shtesë paraqet edhe niveli i ndryshëm i përmbushjes së obligimeve që vendet kandidate marrin gjatë procesit të anëtarësimit në BE, për shkak të të cilit është bërë e vështirë të gjenden formulime që do të ishin të pranueshme për të gjithë pjesëmarrësit.
Siç mësoni mediumi, pikërisht për shkak të këtyre dallimeve organizatorët kanë vendosur që këtë herë të mos insistojnë në një deklaratë të përbashkët, por të fokusohen në bisedime bilaterale dhe në shkëmbimin e qëndrimeve mes zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të vendeve të rajonit.
Ky vendim, sipas vlerësimeve të bashkëbiseduesve të Novas, njëkohësisht tregon se sa të ndryshme janë sot rrugët evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa disa shtete tashmë janë thellë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian ose pranë anëtarësimit, të tjerat ende përballen me probleme serioze politike dhe institucionale që po e ngadalësojnë përparimin e tyre.
Për këtë arsye, siç thonë burimet tona, është bërë pothuajse e pamundur të arrihet një dokument i vetëm që do të pasqyronte në mënyrë të njëjtë interesat, obligimet dhe pritjet e të gjithë pjesëmarrësve të samitit.
